Një lajm i hidhur për futbollin shqiptar vjen në pragndeshjen Tirana-Vllaznia. Ish-futbollisti i njohur i shkodranëve dhe i kombëtares shqiptare, Ramazan Rragami, ka ndërruar jetë.

Ai prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë e cila pak çaste më parë i mori jetën në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një hidhërim të thellë, jo vetëm te familja e tij, por te i gjithë komuniteti i futbollit shkodran e shqiptar.
Ramazan Rragami ka lindur në Shkodër më 3 prill 1944 dhe që prej moshës 12-13 vjeçare dhe para 2-3 vitesh ka qenë gjithnjë protagonist tek futbolli, pra për një periudhë 60 vjeçare, pa asnjë shkëputje për asnjë moment.

Shfaqet në formacionin e Vllaznisë në kampionatin e vitit 1961, saktësisht më 24 shkurt të këtij viti në ndeshjen Flamurtari- Vllaznia 2-1, kur ai ende nuk i kishte mbushur 17 vjeç, duke shënuar kësisoj debutimin me të dhe luan me Vllazninë deri në janar të vitit 1965 sepse më pas kalon tek Partizani me të cilin luan deri në vitin 1968. Më pas kthehet sërish në Shkodër teksa luan me Vllazninë deri në fund të sezonit 1974-75.
Mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Vllaznisë e të futbollit shqiptar, është trajneri i “Shpresës” së Shqipërisë që e kualifikoi atë në 8 më të mirat e Europës në vitin 1983.

Si futbollist, për fat të keq ka vetëm 19 ndeshje të luajtura me kombëtaren ngaqë në ato vite ajo nuk ka zhvilluar shumë ndeshje brenda një viti megjithatë ka qenë gjithmonë në nivele të larta dhe madje edhe kapiten i saj. Ndërkohë që duke luajtur me Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon ka në total rreth 90 ndeshje ndërkombëtare.
Rragami ka qenë shumë i suksesshëm edhe si trajner me Vllazninë të cilën e drejtoi për disa vite duke fituar edhe trofe, ndërkohë që kulmin e tij e ka me ekipet
kombëtare dhe kryesisht me atë “Shpresa” në vitin 1983 ku arriti ta radhisë atë në mes më të mirave të Europës.
Për shumë vite ka drejtuar edhe klubin Vllaznia me shumë seriozitet. Mbetet një emër i madh që meriton shumë respekt e vlerësim për atë që ka arritur gjatë karrierës së tij.

TROFETË E FITUARA

– Në vitin 1966 do të fitonte Kupën e Republikës me ekipin e Partizanit

– Në vitin 1971 do të fitonte Kupën e Ballkanit po me ekipin e Partizanit

– Në sezonin 1971-72 do të fitonte titullin kampion dhe Kupën e Republikës me ekipin e Vllaznisë.

– Në sezonin 1973-74 shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë

KARRIERA SI TRAJNER

– Në vitet 1973- 79 ka punuar si trajner tek Vllaznia duke bashkëpunuar me trajnerin Xhevdet Shaqiri.

– Në vitet 1978- 91 trajner pranë ekipeve kombëtare, atë “Shpresa” dhe U18 duke bashkëpunuar me trajnerët Shyqyri Rreli, Petraq Ikonomi, Aurel Vërria etj.

– Në vitin 1984 kryen kursin për trajner në Coverciano (Itali).

– Në vitet 1973-2004 ka punuar si trajner profesionist, inspektor e sekretar klubi tek Vllaznia. Njëkohësisht në periudha të ndryshme ka qenë edhe anëtar i Komisionit
të Disiplinës pranë FSHF-së.

– Në sezonin 1982-83 fiton titullin kampion me Vllazninë si trajner.

NDERIMET:

-Në vitin 1967 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti” ndërkohë që në vitin 1974 ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

-Në vitin 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar” dhe po këtë vit ka marrë edhe titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”.

-Në vitin 2004 është nderuar nga FSHF me titullin “Nderi i futbollit shqiptar” ndërkohë që në vitin 2019, me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia, u nderua nga
Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

– Fitues i anketës “11-shi i artë”, organizuar me rastin e 80 vjetorit të KF Vllaznia.

– Fitues i anketës “11-shi më i mirë i shekullit”, organizuar nga FSHF më 1998.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb