Nga: KLODIANA LALA*
Gjykata vendos të dëmshpërblejë moralisht familjen e Pjetër Arbnorit, i cilësuar si “Mandela” i Shqipërisë, pasi në një libër me autor ish-të dënuarin politik, T. K., ai cilësohet si “bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Dy shkallët e gjyqësorit detyrojnë të paditurin T. K., autor i librit, “Don Sllobodani i Serbisë” të dëmshpërblejë me 1 mijë lekë si dëm moral që u ka shkaktuar familjarëve të të ndjerit. Në vendimin e gjykatës thuhet se: ‘Ekziston një dëm i shkaktuar nga ana e të paditurit kundrejt paditësve si trashëgimtarë ligjorë të të ndjerit Pjetër Arbnori. Ky dëm është shkaktuar duke fyer kujtimin e të vdekurit me përhapjen e të dhënave të rreme dhe fyese. Gjykata detyron gjithashtu T. K. t’u kërkojë ndjesë trashëgimtarëve të të ndjerit Pjetër Arbnorit për shqetësimet e shkaktuara nga këto shkrime”.
Verdikti i drejtësisë
Në dhjetor 2013, gjykatësi Artan Lazaj firmosi një vendim në favor të familjes Arbnori, të cilën e dëmshpërbleu me një shumë tejet modeste, ashtu sikurse në fakt, e veja dhe e bija e të ndjerit kishin kërkuar: vetëm 1 mijë lekë të reja. Vendimi i Shkallës së Parë, që do të botojmë me poshtë, është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Ja si arsyeton gjykatësi Lazaj:
“Paditëset Suzana dhe Gjystina Arbnori, (përkatësisht e veja dhe e bija e të ndjerit) janë trashëgimtarë ligjorë të trashëgimlënësit Pjeter Arbnori. I ndjeri Pjeter Arbnori ka qenë për disa kohë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i tij, e provuar kjo me anë të vërtetimit ‘Për zgjedhjen e deputetit në Kuvendin Popullor’ të administruar në dosje, por edhe si një fakt i njohur botërisht.
I padituri T. K. ka botuar në librin e tij me titull ‘Don Sllobodani i Serbisë’, ndër të tjera një tregim me titull ‘Laramani punëson tipografin’.
E veja dhe e bija pretendojnë se në këtë tregim etiketohet i ndjeri Pjeter Arbnori me fjalët: ‘bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, imoral, gjatë kohës që drejtoi një dikaster të madh priti ish-të burgosur në zyrën e tij dhe atyre u zgjidhi problemet, u mori edhe ndonjë zarf, mblodhi rreth vetes një tufë spiunësh dhe servilësh, zgjodhi një sekretare me tipare spanjolle etj’. Kjo provohet me anë të hulumtimit dhe studimit të këtij tregimi.
Familjarët e Arbnorit pretendojnë se i padituri, autor i këtij shkrimi, ka qenë dhe ish-i burgosur politik, e pohuar edhe nga vetë ai. Në vijim, familjarët pretendojnë se të gjitha të dhënat për personazhin e treguar në këtë shkrim përkojnë me të dhënat e të ndjerit Pjeter Arbnori. Konkretisht në këtë shkrim përmendet fraza: ‘Meqenëse ishte pak i shkurtër dhe flokët kishin filluar t’i binin qysh në bankat e shkollës…”. Këto të dhëna përkojnë me tiparet e të ndjerit, duke krahasuar dhe foton e tij të bërë në vitet e shkollës, që i përkon adoleshencës së tij, e administruar në dosje.
Gjithashtu, ‘Shokët e thërrisnin Laramani’, përkon me dëshminë e dëshmitarit Novruz Shehu, i pyetur nga gjykata, i cili deklaroi se Pjeter Arbnori njihej me etiketimin ‘Laramani’, që i kanë vënë shokët e tij. I padituri ka shkruar se ‘Për t’i shpëtuar luftës së klasave, u largua nga qyteti i lindjes dhe u vendos në një qytet bregdetar, me shumë zhurmë e variante jetese, mbas disa akrobacive një shefe kuadri e ndihmoi për t’u punësuar nën një mbiemër të sajuar, mundi të marrë dhe arsimin e lartë me korrespodencë”.
Paditësit pretendojnë se i ndjeri është shpërngulur nga qyteti i vet i lindjes, Shkodër, si pasojë e luftës së klasave dhe se babai i vete ka qenë pushkatuar. Qyteti që zgjodhi për të jetuar dhe arsimuar ishte Durrësi, një qytet bregdetar, i zhurmshëm. Kjo provohet me anë të vërtetimit të datës 06.11.1989 të lëshuar nga Këshilli Popullor i Lagjes “Ndoc Mazi”, Shkodër, ku i ndjeri ka shkuar për t’u shkolluar në Durrës. Gjithashtu, me anë të vërtetimit të datës 10.08.1957 të lëshuar nga ndërmarrja SMT, Shijak, Rrethi Durrës e administruar në dosje provohet fakti se të ndjerit nga ana e kësaj ndërmarrjeje i është dhënë leja të vazhdojë studimet me korrespondencë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Sipas certifikatës së lindjes se të ndjerit, të administruar në dosje provohet se ka lindur në vitin 1935, është i biri i Filipit dhe i Gjystinës dhe sipas dëftesës së Maturës, së lëshuar nga Gjimnazi “29 Nanduer” provohet fakti se i ndjeri figuron me mbiemrin Filipi, sipas dëshmisë shkollore të lëshuar nga Kolegji Saverjan të administruar në dosje. Provohet fakti se është përdorur mbiemri Toma dhe provohet me anë të vërtetimeve të administruara në dosje se i ndjeri ka punuar me vendim të Komitetit të Partisë Durrës si mësues letërsie në Shkollën e Mesme Bujqësore, Golem Durrës. Këto fakte provohen dhe nga dëshmitë e dëshmitarëve Antoneta Dedi, motra e të ndjerit dhe Novruz Shehu.
I padituri (T. K.) ka përdorur frazën: “U arrestua për veprimtari politike dhe hëngri për shumë vite supën e burgut”.
Sipas vendimit nr.113, datë 11.08.1962 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, provohet se Pjeter Filip Arbnori është dënuar me vdekje, pushkatim për veprën penale të ‘Tradhtisë ndaj atdheut’. I padituri shkruan se: “Dikush ka shpallur publikisht dhe pseudonimin e tij ‘Laramani’. Ky fakt provohet jo vetëm me dëshminë e dëshmitarit Novruz Shehu të trajtuar me sipër, por dhe me një shkrim të botuar nga Dom Simon Jubani, të administruar në dosje.
I padituri ka shkruar se: “E vërteta është se në burg, për një trajtim më të mirë e për ndonjë takim special me familjen, ai pranoi të veçohej nga shokët e të merrej me përkthimin e disa librave”.
Provohet nga dëshmitarët Novruz Shehu dhe Fatos Kërluku, si dhe nga vërtetimi i Komandës së Repartit 321 Burrel, se i ndjeri punonte në burg në bibliotekë dhe si përkthyes veprash letrare. I padituri shkruan se: “Pas daljes nga burgu, në kohën e ‘mrekullive’, të tranzicionit, dikujt i shkoi në mendje që ta merrte këtë hallemadh, tanimë të plakur në sofrën e të mëdhenjve të politikës dhe për merita të mëdha e vunë në krye të një dikasteri të madh”. Dihet botërisht se pas daljes së të ndjerit nga burgu, zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në një moshë të thyer.
Gjykata mendon se kërkesë-padia e bërë nga paditëset është ngritur konform kritereve të neneve 608,617,625 e vijim i K.Civil. Ekziston një dëm i shkaktuar nga ana e të paditurit kundrejt paditësve si trashëgimtare ligjore të të ndjerit Pjetër Arbnori. Ky dëm është shkaktuar duke fyer kujtimin e të vdekurit me përhapjen e të dhënave të rreme dhe fyese. Ky dëm duhet riparuar nga ana e të paditurit, duke dëmshpërblyer paditëset në shumën që ato kërkojnë, pra 1000 lekë dhe duke përgënjeshtruar dhe sqaruar me anë të një prononcimi në gazetë, duke kërkuar njëkohësisht dhe falje publike, nëse ky shkrim ka cenuar dhe prekur interesat e paditësve.
Gjykata mendon se kërkesa e ngritur nga paditëset Suzana Arbnori dhe Gjystina Arbnori është e drejtë dhe si e tillë duhet pranuar si e mbështetur në ligj e në prova.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: