NGA: Fitim Çaushi
Me kundërshtitë e deputetëve të Kosovës, u duk se Marrëveshja e Vjenës, 26 gusht 2015, midis Malit të Zi dhe Qeverisë së Kosovës nuk do të prodhonte efekte juridike, sepse kjo marrëveshje nuk do të ratifikohej në parlament. Kundërshtarët e saj bazoheshin te fakti se kontrolli efektiv i institucioneve kosovare mbi ato territore ka ekzistuar pandërprerë gjatë gjithë periudhave kohore, që nga vënia e kufirit administrativ (1945-46) në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Këtë e argumentoi saktë edhe komisioni i dytë: vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi nuk ishte në përputhje me vijën administrative kufitare të ish– Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Prandaj, marrëveshja u prit në Kosovë me kundërshtime të mëdha. Me ratifikimin e sforcuar dhe të tensionuar nga shumica e parlamentit të Kosovës, marrëveshja që i jep Malit të Zi 8.000 km katrorë nga tërësia territoriale e Kosovës dhe trungu kombëtar, sipas Konventës së Havanës për Traktatet (1928, fiton në aspektin ndërkombëtar detyrim kushtetues.

Shikuar nga këndi i së drejtës ndërkombëtare, duket se shtetet e treta nuk duhet të kishin asnjë arsyetim ndërkombëtar juridik për të kërkuar nga shteti i Kosovës ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërkohë që ato përmes ndërhyrjeve diplomatike i kishin vënë Kosovës kushte të hekurta dhe deputetët e Kosovës, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave në Evropë, pranuan me dhimbje të japin pjesë nga territori i tyre!

SHBA dhe Greqia shpejtuan të parat ta përshëndesin këtë masakër të trojeve shqiptare, ndonëse ambasadori Lu, në vigjilje të këtij ratifikimi, lexoi edhe vargje nga poetë shqiptarë, por çuditërisht paska harruar Kadarenë, i cili i drejtohet Shqipërisë: “Shekujt si qentë të kafshuan ku mundën të të hanë/ mes tyre tek shkoje ata të suleshin/ dhe dhëmbët e kohrave në ije të nguleshin”.
Sigurisht, Greqia mbeti tepër e kënaqur nga kjo masakër e territoreve shqiptare, sepse shpreson të mbetet e kënaqur edhe nga marrëveshja që do të nënshkruhet me detin shqiptar! Por, si ta kuptojmë kënaqësinë e madhe të SHBA-ve, kur e di mirë se Shqipërisë i rrëmbyen me vendim të Kongresit të Berlinit më 1878, copa të shenjta shqiptare për Malin e Zi, si: Ulqini, Tivari, Gruda, Hoti, etj.? I rrëmbyen me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në 1913 në Londër: Çamërinë dhe troje të Juglindjes për Greqinë si Kosturi, Konica, Follorina etj.? I rrëmbyen Tetovën, Gostivarin, Shkupin, Kërçovën, Manastirin, Ohrin, Strugën etj. për Maqedoninë? I rrëmbyen Preshevën, Bujanovcin dhe Metvegjën në 1945, për Serbinë dhe pikërisht tani në 2018, në botën demokratiko-kapitaliste, i rrëmbyen edhe 8000 km katrorë për të kënaqur Knjazët e rinj malezezë, duke i kërkuar edhe Mitriovicën peshqesh për Serbinë! Vetëm Shqipërisë së gjorë, e cila ka sakrifikuar nëpër histori për Evropën, do t’i rrëmbejnë copa nga trupi i saj?! Mjafton të kujtojmë se në kohën e Skënderbeut populli shqiptar u bë ledhi mbrojtës i krishtërimit evropian. Në pushtimin osman, shqiptarët u sakrifikuan për çlirimin e Greqisë, e po ashtu edhe në kohën e Garibaldit për lirinë e Italisë.
Është e qartë se kushtet poshtëruese dhe zhvatëse, të vëna nga faktori ndërkombëtarë për të hyrë në Europë, janë vetëm për Shqipërinë. Asaj i kërkohet që të “rregullojë” problemet me fqinjët pastaj të nisnin negociatat! Përse s’u kërkojnë fqinjëve të tërhiqen nga pretendimet e tyre territoriale? Ç’punë do t’i prishte Evropës futja e Shqipërisë në bashkësinë e saj, pavarësisht problemeve me fqinjët? A nuk kanë probleme territoresh edhe vendet anëtare të BE mes njëri-tjetrit?

Rruga e integrimit evropian nuk i ka zbutur ndjenjat dhe vizionet e vjetra ballkanuke mbi sovranitetin apo kufijtë dhe marrëdhëniet me fqinjët. Ende mentaliteti ballkanik mbizotëron mbi mentalitetin evropian dhe ambiciet për kufij shtohen edhe më shumë, ndonëse shtetet e shohin njëri-tjetrin së bashku në karrigen evropiane. Nëse në Evropën e Bashkuar kufijtë do të kenë kuptim simbolik, përse Mali i zi, si pjesë e NATO-s, që kërkon të aderojë në BE, i kërkon Kosovës pjesë të territorit të saj?!
Konfliktet për territore detare dhe tokësore kanë pasur edhe dy shtetet ballkanike: Sllovenia si anëtare e BE qysh në 2004 dhe Kroacia që ka marrë statusin e vendit kandidat qysh më 2005-ën. Mes tyre ekziston një acarim që merr përmasat e një konflikti të acaruar, derisa Sllovenia vendosi veton e saj për hapjen e kapitujve të rinj të Traktatit të pranimit të Kroacisë në BE. Me gjithë këtë konflikt, Kroacia u pranua si anëtare e BE në 2011.

Për kufirin detar janë përplasur edhe vende të tjera të BE: Rumani-Bullgari. Kufiri detar midis tyre është caktuar qysh në vitin 1940, por në datën 9 dhjetor 2013 u zhvilluan në Sofje bisedimet të mes sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë dhe sekretarit të shtetit të Rumanisë për delimitimin e kufijve detarë. Që nga viti 1994 kanë vazhduar bisedimet mes tyre në nivelin e ekspertëve për njëzet vjet. Diskutimi i kufirit detar midis Rumanisë dhe Bullgarisë ngrihej në një kohë kur ishin nënshkruar dokumentet në procesin e anëtarësimit të tyre në BE dhe ishte sanksionuar realiteti faktik se midis tyre nuk ekzistonin grindje dhe konflikte territoriale. Këto grindje, për arsye të pasurive nëntokësore, e kanë bërë shumë të mprehtë dhe të ashpër konfliktin mes tyre, por kjo nuk i pengon që të jenë anëtarë të BE pa kushtëzime. Përse kushtëzohet Kosova dhe Shqipëria?!
Janë rizgjuar tensionet e fjetura për territore midis Bullgarisë dhe Serbisë, ndonëse Serbia ka shprehur gatishmërinë për statusin e shtetit kandidat të BE–së. Pa përmendur konfliktet e ndezura midis Greqisë, si vend anëtar i BE dhe Turqisë së vend anëtar i NATO-s.

Ndjehet se për të justifikuar këtë masakër shqiptare në rregullimin e balancës gjeopolitike të Evropës dhe SHBA-ve, u evidentua fantazma ruse, aq shumë e përforcuar kohët fundit, kur dihet se vende të BE-së nuk kanë pasur asnjë pasojë dhe asnjë kusht për politikën e tyre të jashtme edhe me Rusinë!
Qeveria greke plotësoi kërkesën e Rusisë për kalimin nëpër hapësirën ajrore greke të aeroplanëve rusë që fluturojnë me ndihma në drejtim të Sirisë, ndonëse më 9 shtator 2015, qeveria e SHBA i kishte bërë kërkesë zyrtare Greqisë, që të mos hapte korridoret e saj ajrore për kalimin e aeroplanëve rusë të ndihmave në Siri. Ndonëse qëndrimi i Greqisë është konsideruar si një hap diplomatik dhe strategjik i dyshimtë, që shton në Perëndim dozën e mosbesimit për vokacionin e saj atlantik, ajo nuk ka pësuar asnjë sanksion, përkundrazi po ndihmohet diplomatikisht që të rrëmbejë edhe pjesë nga deti shqiptar!
Sllovenia është i vetmi shtet i BE, e cila pas vendosjes së sanksioneve të BE ndaj Rusisë, zyrtarisht u është bashkuar saksioneve ndaj Rusisë, por ajo është ndër vendet që ka kërkuar zbutjen dhe heqjen e sanksioneve, si kombe që kanë lidhje historike me Rusinë, duke u mbështetur në identitetin etnik sllav të përbashkët, ndonëse ka përqafuar identitetin evropian dhe atlantik!

Bullgaria është pjesë e BE qysh në vitin 2007, por pjesë të territorit të saj ajo i ka shitur tek biznesmenë rusë. Blerjet masive nga pronarë rusë në bullgari në vitet 2006-2014 janë 63574 prona rezidenciale. Nga kufiri me Rumaninë e deri në kufirin me Turqinë, rusët zotërojnë 80% të pronave të patundshme: hotele, restorante, pallate dhe shtëpi private. Ndonëse kryeministri i Bullgarisë në 2014, iu zotua presidentit të Komisionit Europian se ndërtimi i gazsjellësit në territorin bullgar do të bëhet sipas ligjeve të BE-së, pikërisht në këtë kohë u publikua se qeveria bullgare i kishte dhënë tenderin e ndërtimit të gazsjellësit “South Stream” në territorin bullgar një kompanie ruse, e cila ndodhet në listën e zezë të sanksioneve të SHBA ndaj Rusisë!
Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe po privilegjohet në kurriz të trojeve shqiptare, ndonëse mediat malazeze propagandojnë se rusët zotërojnë 40% të pasurive të patundshme, sidomos në bregdet. Po kështu, Spanja i bashkohet bojkotit të Serbisë dhe ngrihet kundër BE!

Sikundër shihet, politikat e BE dhe SHBA për të rregulluar gjeopolitikën e tyre janë në dëm të interesave territoriale të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky qëndrim ka qenë konstant nëpër histori: Deklarata që ministri i Jashtëm britanik Eduard Grei, që drejtonte Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, një ditë pas mbarimit të konferencës, më 12 gusht, bëri në Dhomën e Komuneve lidhur me caktimin e kufijve të Shqipërisë, është po aq aktual sa edhe sot. Ai tha shprehimisht: “Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhet marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha dhe në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Europë” (E. Grey, “Speeches of foreing affairs”, London 1913, p. 212)

Ndryshimi qëndron se atëherë vendimet i merrte faktori ndërkombëtar, tani vendimet për copëtimin e truallit kombëtar i marrin vetë shqiptarët të imponuar me diktat nga të mëdhenjtë. Historia na ka mësuar se në vitin 1915 ishte Lenini që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi përfundimtar përmes Traktatit të fshehtë të Londrës. Pikërisht për këtë akt proshqiptar, Avni Ristemi e ngriti në këmbë Parlamentin Shqiptar më 22 prill 1924, për të mbajtur pesë minuta heshtje për vdekjen e Leninit. Njëzet e tre vjet më vonë ishte Stalini, që e shpëtoi Shqipërinë nga kthetrat e Titos dhe serbëve, përmes letrës së Informbyrosë në vitin 1947. Këtë të vërtetë historike populli shqiptar dhe historia e ka shkruar me shkronja të arta. Si shpjegohet që fuqitë evropiane vazhdojnë të pranojnë që Shqipëria të copëtohet?! Kjo na tregon se Shqipëria ndodhet nën një diktat të egër “demokratik”. A duhet të pranojnë shqiptarët pazare me trojet e tyre, vetëm se na ndihmuan të çlirohej Kosova?!
Burimi: http://www.gsh.al/2018/03/23/fytyra-e-vertete-e-demokracise-kapitaliste/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: