Kryeministri britanik Rishi Sunak do të njoftojë gjatë samitit të G7 në Itali se Mbretëria e Bashkuar do t’i ofrojë një ndihmë të re me vlerë deri në 242 milionë £ (286.5 milionë euro) Ukrainës. Kjo ndihmë do t’i lejojë Ukrainës “të përmbushë nevojat e menjëhershme humanitare, energjetike dhe stabilizuese” dhe “të vendosë themelet për rimëkëmbjen dhe rindërtimin ekonomik dhe social në një afat më të gjatë”, thuhet sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e Sunak.

Qëllimi është në veçanti rivendosja e “infrastrukturës kritike të energjisë”, e cila pësoi “sulme raketore dhe bombardime nga Rusia gjatë muajve të fundit”. “Ne duhet të tregojmë vendosmëri dhe kreativitet në përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i dhënë fund luftës së paligjshme të (presidentit rus Vladimir) Putin në këtë kohë kritike,” tha Rishi Sunak.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet në ballë të reagimit ndërkombëtar, siç ka qenë që nga fillimi,” shtoi ai. Sipas Downing Street, Londra ka akorduar 695 milionë paund (822.5 milionë euro) ndihmë dypalëshe për Ukrainën, kryesisht për qëllime humanitare, pasi forcat e armatosura ruse e pushtuan në shkurt 2022.

Udhëheqësit e vendeve të Grupit të Shtatë (Gjermania, Kanadaja, SHBA, Franca, Italia, Japonia, Britania) do të marrin pjesë nga sot deri të shtunën në samitin në Pulia, në Italinë jugore. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë gjithashtu i gatshëm për të bërë thirrje për një rritje të mëtejshme të ndihmës nga aleatët perëndimorë të vendit të tij përpara se të shkojë në një samit të paqes në Zvicër, ku Moska do të mungojë. Në takim, Londra do të mbrojë gjithashtu përdorimin e të ardhurave të fondeve të ngrira ruse për të ofruar ndihmë për Ukrainën, me vlerë deri në 285 miliardë dollarë. Udhëheqësit e G7 shpresojnë të arrijnë një marrëveshje për këtë në samit, por ende nuk ka konsensus, thanë burimet diplomatike në fund të javës së kaluar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: