Gazmend A. Bakiu

Kisha vendosur që të mos shkruaja ndonjë artikull për librin e Blendi Fevziut “Ahmet Zogu Presidenti që u bë Mbret”, Tiranë, 2014. Sepse veç përgëzimeve, duhen përmendur të metat, dhe siç dihet jo gjithkush (madje pakkush) kritikën e mirëpret, dhe kjo çon jo rrallë në polemika të pafrytshme. Mirëpo pasi lexova artikullin e tij te gazeta “Panorama”, datë 6 janar 2015, ku Fevziu thotë se “do të desha që libri të kishte hapur një debat publik lidhur me cilësinë dhe përmbajtjen e tij”, ndryshova mendim. Dhe vendosa të shkruaj pasi, sa më sipër duket se ka munguar, aq më tepër që unë futem tek ata që e kanë lexuar librin. Libri sigurisht ka arritje dhe pjesë interesante, fakte dhe analiza jo rrallë të qëlluara, ballafaqime opinionesh të ndryshme, të gjitha këto të shkruara me një stil të zhdërvjellët prej gazetari. Ndoshta, pjesa më e mirë është ajo e fundit, kur autori paraqet veprimtarinë e Zogut larg vendit dhe citon intervista të tij, në gazeta në Perëndimit etj., që janë pak të njohura për publikun shqiptar. Por në thelb libri mbetet një vepër publicistike, divulgative, e kapshme nga një masë e gjerë, por me të meta të konsiderueshme në aspektin e saktësisë së fakteve, dhe të rrokjes tërësore të ngjarjeve që lidhen me personazhin. Pa apo me qëllim, autori përqendrohet edhe në fakte anësore të jetës së Ahmet Zogut, por pikërisht ana erotike dhe e përfolur e tij, hyn tek mjeshtëria për të tërhequr sa më shumë lexues. Pra, ky nuk është problemi. Sipas meje, probleme janë ato që do të paraqes në vazhdim.

Bibliografia dhe fusnotat

Çdo libër me karakter historik duhet të ketë në fund të tij bibliografinë. Dhe në fakt, autori e ka plotësuar këtë domosdoshmëri sipas kësaj renditjeje: Libra të botuar, Burime Arkivore, Shtypi dhe Tv. Por, çdo profesionist e di që në krye të listës duhet të qëndrojnë Burimet Arkivore (si më të rëndësishmet), pastaj vijnë të tjerat. Nga ana tjetër, në qoftë se autori do të kishte shfletuar me kujdes fondin e paraqitur në bibliografi, nuk do të kishim pasaktësitë që do të përmendim më poshtë.

Të vendosësh bibliografinë në fund të librit nuk do të thotë se ke mbaruar punë. Duhet që për ngjarjet, për faktet etj., të cilat përmenden gjatë shtjellimit të librit, të vendosësh fusnotën, pra citimin përkatës (në fund të faqes apo të kapitullit), i cili tregon se kujt fondi arkivor, botimi apo periodiku i referohet ajo që shkruan. Përndryshe, ajo që shkruhet mbetet për t’u dyshuar, dhe rrëzohet a priori. Me sa thashë më lart nuk po paraqes ndonjë shpikje, por në librin e Fevziut referimet mungojnë në shumë raste, ose janë të paplota. Ky është problemi kryesor i librit. Por s’kemi pse të habitemi, kur edhe botimi i Akademisë së Shkencave “Historia e popullit shqiptar”, në katër vëllime (Tiranë, 2002-2008), i shkruar me demek nga historianë të mirëfilltë, nuk ka fare fusnota! Që këtej lindin gabimet, krijimet, madje dhe gafat. Le të përmendim tani disa emra, data dhe ngjarje, të cilat në libër janë të pasakta.

Emra, data dhe ngjarje

Emri i Zogut. Autori shkruan se “emri zyrtar ishte Ahmet Muhtar” (f.19). Por, në faqet 25 dhe 26 lexojmë “Ahmet Murtar”, për t’u rikthyer përsëri në faqen 28 tek “Ahmet Muhtar”, dhe ky “alternim” vazhdon më tutje në f.90 dhe në f.218. Ky mund të jetë gabim shtypi, por në fund të fundit, duhet sqaruar se në krye të herës emri i Zogut ishte Ahmet Muhtar. Kështu e hasim qartas te Lef Nosi “Dokumenta historike për t’i shërbye histories tonë kombëtare”, Elbasan, 1924, f.156, f.182, f.184 etj. Vënia e dy emrave ka qenë traditë në familjet e shquara dhe të mëdha. Kështu kemi pasur Ismail Qemali (Vlora), Shemsedin Sami (Frashëri), Sermedin Said (Toptani) etj. Tek Ahmet Zogu, emri i dytë Muhtar nga osmanishtja do të thotë -i shquar, -i dalluar.

Babai. Autori shkruan se “Xhemal Pashë Zogu ndërroi jetë në tetor 1911, po atë ditë që djali i tij i dytë mbushi 16 vjeç. Në fakt, data e saktë e vdekjes është e vështirë të përcaktohet, sepse ajo varion nga viti 1904 në disa dokumente, deri në 1911 në disa të tjera. Sipas dëshmive të besueshme ai ndërroi jetë nga një e ftohur, në moshën 42-vjeçare” (f.19). Se cilave dokumente u referohet Fevziu, për vitvdekjen e babait të Ahmet Zogut, këtu nuk na e thotë. Mirëpo, në librin e Joséphine Dedet “Géraldine Reine des Albanais” Paris, 1997, f.140, lexojmë se Xhemal pashë Zogu ka lindur më 1860 dhe ka vdekur më 1905. Në këtë botim (në frëngjisht) janë paraqitur edhe datëlindjet e motrave dhe të vëllait të Zogut.

Nëna.

Autori shkruan: “Nëna, Sadija ndërroi jetë shumë vjet pas vdekjes së burrit të saj, më 24 nëntor 1934 në Durrës” (f.18). Mirëpo në faqen 94 lexojmë: “Sadije Toptani Zogu vdiq papritur nga një krizë zemre në Durrës, më 26 nëntor 1934”. Tani kë datë të besojmë? Sepse në të dyja rastet nuk ka referenca! Në të vërtetë, Sadije Zogu vdiq më 25 nëntor 1934 dhe këtë e mbështesim te njoftimi i “Gazetës Shqiptare”, datë 27 nëntor 1934. Leka II. Autori shkruan: “Më 1981 lindi Princi Trashëgimtar Leka” (f.103). Lidhur me këtë pohim, Leka II reagoi në rrjetet sociale duke shkruar se ka lindur në vitin 1982. Dhe në fakt, Princi trashëgimtar ka ardhur në këtë jetë më 26 mars 1982, në Johanesburg.

Zgjedhjet. Autori shkruan: “Zgjedhjet e dyta kushtetuese u zhvilluan më 26-28 nëntor të vitit 1923, por parlamenti u mblodh më 27 dhjetor” (f.50). Nëse i referohemi Kastriot Dervishit që Fevziu përmend më poshtë, del se Zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues përfunduan më 27 dhjetor 1923 (Historia e shtetit shqiptar, Tiranë, 2006, f.190), ndërsa hapja e Kuvendit Kushtetues u bë më 21 janar 1924 (Bisedimet e Kuvendit Kushtetues, Mbledhja 1, Tiranë, 1924, f.1).

Shpallja e Republikës. Një datë mjaft e rëndësishme, ajo e shpalljes për herë të parë të Republikës Shqiptare, është dhënë e pasaktë. Autori shkruan: “Më 31 janar 1925, ora 3:50, Shqipëria u shpall Republikë nga një Asamble Kushtetuese” (f.75). Merret vesh se nuk ka vënë asnjë referim, prandaj edhe e ka gabim. Në “Bisedimet e Kuvendit Kushtetues”, Mbledhja 66, datë 21 janar 1925, f.918-919, rezulton se me votim nominal u shpall Republika Shqiptare me 60 vota pro dhe dy abstenime. Pra, Republika është shpallur më 21 janar 1925, në 5-vjetorin e fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjës.

Vizita e Grandit. Autori shkruan: “Ministri i Jashtëm Italian Grandi u bë zyrtari i parë i huaj që vizitoi Shqipërinë që nga shpallja e Pavarësisë më 1912. Vizita e tij më 1930 erdhi plot 18 vjet pasi Shqipëria ekzistonte si shtet” (f.110). Në të vërtetë, Dino Grandi e vizitoi Shqipërinë më 12-16 prill 1929. Kjo është pasqyruar gjerësisht në shtypin shqiptar të atyre datave, duke filluar nga “Gazeta Shqiptare” etj. Në këtë periudhë ai ka qenë nënministër i Jashtëm i Italisë (Ministër i Jashtëm ka qenë vetë Mussolini). Vetëm pesë muaj më pas, ai u bë ministër i Jashtëm, post që e mbajti deri më 12 korrik 1932.

Ligjet. Për Zogun në faqen 107, autori shkruan: “Në fillim ndaloi festen turke te burrat, më pas ndaloi përdorimin e ferexheve në publik në vitin 1938 dhe së fundmi legalizoi të drejtën e divorcit”. Në të vërtetë, (për të parën) bëhet fjalë për urdhëresën që nëpunësit mund të paraqiteshin vetëm me kapele tip cilindër në punë, dhe jo për popullsinë; (për të dytën) bëhet fjalë për ligjin “Mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës”, i cili u aprovua nga Parlamenti më 8 mars 1937, dhe u botua në Fletoren Zyrtare më 10 mars 1937; (për të tretën) bëhet fjalë për lejimin e divorcit sipas Kodit Civil, i cili hyri në fuqi më 1 prill 1929 (Shqipënija më 1937, Tiranë, 1937, f.93).

Feja. Autori shkruan: “Feja u nda nga shteti edhe me ligj në vitin 1934” (f.108). Në fakt ndarja e fesë nga shteti është bërë që me Kushtetutën e Republikës (Statuti themeltar) të vitit 1925, e konfirmuar kjo në Kushtetutën e Mbretërisë (Statuti themeltar) të vitit 1928. Mund të vazhdonim kështu më tutje, pasi ka edhe të tjera pasaktësi dhe argumente të diskutueshme, por besoj se është më e rëndësishme të japim disa konsiderata të përgjithshme për librin.

Vlerësime të përgjithshme

Libri është ndarë në kapituj, që janë herë kronologjikë dhe herë tematikë. Ai nuk ndjek rrjedhën e zakonshme të veprave të këtij lloji, nga lindja e deri në vdekjen e personazhit, por siç ka shpjeguar autori, kjo është bërë qëllimisht, për ta bërë librin më tërheqës. Shihet qartë se mungojnë trajtimi i nevojshëm i marrëdhënieve të komplikuara shqiptaro-italiane, krizat e herëpashershme në këto marrëdhënie, trajtimi i pakteve të viteve 1926-’27; marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, kriza me këta të fundit më 1927; reforma për arsimin kombëtar më 1933 etj.; të gjitha këto të përmendura pak ose aspak. Kjo ka ndodhur ndoshta sepse autori nuk ka pasur qëllim të zgjatet me këto tema, ose ndoshta sepse koha që ka pasur në dispozicion për të shkruar veprën e tij ka qenë e shkurtër. Ju kujtoj se në një intervistë për librin, Fevziu deklaroi se sido që materialet i kishte mbledhur përgjatë dy dekadave, ai kishte punuar për librin tre muajt e verës që shkoi. Që këtej, rezulton se ka arritur shumë, sepse për vepra për një politikan si Ahmet Zogu, unë mendoj se duhen së paku 5-10 vjet punë në arkiva dhe në biblioteka, brenda dhe jashtë vendit. Autori është munduar të qëndrojë objektiv ndaj Ahmet Zogut. Më rezulton se objektivitetin e tij është përpjekur ta ndërtojë nëpërmjet përplasjeve të opinioneve, pro dhe kundër Zogut. Prandaj libri është i mbushur me thënie të njërit apo të tjetrit, që sigurisht ka raste që ia fusin kot. Më i preferuari ka qenë Pietro Quaroni (1898-1971) me librin “Valixhja diplomatike” (botimi italisht më 1956 dhe në shqip më 1993), i përmendur nga Fevziu si Pietro Kuarone, dhe i cituar në paragrafë të gjatë plot 21 herë. Por, a është kjo mënyra për të qenë objektiv? A nuk e dëmtojnë opinionet me tepri për personazhin, veprën? Kjo çështje ha diskutim, dhe nuk mund të them as po dhe as jo. E sigurt është se në këtë mënyrë libri merr gjithnjë e më tepër karakter publicistik, në dëm të karakterit historik, dhe kjo pak shërben për zbardhjen e së vërtetës. Por edhe Fevziu ka shfaqur opinionin e tij për presidentin që u bë mbret. Ai mendon se Ahmet Zogu, në fund të viteve ’30 “e kishte konsumuar kurbën e suksesit” dhe “pas vitit 1936 filloi rënia. I kishte mbetur pak nga frymëzimi i rinisë, ishte zbehur idealizmi,.. ai thjesht ruante ekuilibrat politikë,..” (f.114). Në sa më sipër, mendoj se autori niset kryesisht nga ajo që ndodh jo rrallë me pushtetarët: Pas disa vitesh (dhe më shumë) në majë të pushtetit, politikanit i ndodh rënia e veprimit, qullja, korruptimi e deri te degradimi. A ka ndodhur kjo në rastin e Zogut? Kjo duhet provuar! Më rezulton se më 1937 hyri në fuqi ligji “Mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës”, dhe Zogu po përgatitej për reforma të tjera. Martesa me Geraldinën, dukej se do të sillte energji të reja në vazhdimin e reformave, me karakter social, ekonomik etj., por ai s’pati më kohë, sepse erdhi pushtimi. Por Fevziu ka të drejtë kur thotë se “vështirë që në historinë e Shqipërisë të gjesh një figurë më të vështirë për t’u përkufizuar” (f.127), prandaj bën mirë që u referohet Eqrem bej Vlorës dhe Pietro Quaroni-t, për këtë gjë. Pavarësisht nga sa u thanë më lart, libri “Ahmet Zogu Presidenti që u bë Mbret” është një libër që duhet lexuar dhe që ka vlera. Si pasojë e kuriozitetit që ka ngjallur, libri shërben sidomos për atë pjesë të popullsisë, që e njeh Zogun sipas stampës komuniste, për ta parë në një këndvështrim krejt ndryshe. Nga ana tjetër, ai vjen si një sfidë ndaj historianëve me grada e tituj e me rrogë për këto punë, të cilët kanë bërë pak, për ndriçimin e një politikani kaq të rëndësishëm si Ahmet Zogu. Që nga koha kur Bernd Fischer shkroi librin “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” në vitin 1984, me gjithë të metat e veprës, dhe megjithëse Fischer-i nuk dinte dhe nuk di shqip (ndërkohë që shumica e materialeve për Zogun janë në shqip), akoma ne nuk kemi asnjë libër tjetër që ta konkurrojë atë. Dhe kjo është për të ardhur keq.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb