Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRES – Një 60-vjeçar nga Gosa e Kavajës që prej tri vitesh po endet nëpër zyrat e gjendjes civile për të zgjidhur një problem me mbiemrin e tij, por deri tani pa sukses. Jorgo Ilia ka mbetur në udhëkryq për të ardhmen e familjes së tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ilia tregon se ka kërkuar ndihmë në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë, në zyrën e gjendjes civile në Kavajë, pranë Ministrisë së Brendshme, por pa gjetur një zgjidhje.

Me lot në sy, Ilia thotë se të gjithë si familje po paguajnë gabimet e punonjësve të shtetit. Sipas tij, më 2012-ën, në gjendjen civile djali i tij figuronte me emrin Miltjan Saraçi, ndërsa trungu familjar është me mbiemrin Ilia. Nga ana tjetër, 60-vjeçari deklaron se nuk mund t’i regjistrojë dot dy nipërit e tij.

Zoti Ilia, cili është problem juaj?
Djali im, Miltjan Ilia, jeton me familjen në Itali prej vitesh. Është 32 vjeç, prind i 2 fëmijëve të mitur e në pritje të fëmijës së tretë, por nuk mundet t’i regjistrojë ata në gjendjen civile. E keqja është që nuk mund të kthehet dot as në Shqipëri, pasi afati pasaportës i ka përfunduar e nuk mund të pajiset me pasaportë biometrike.

Cili është shkaku?
Shkak është bërë gabimi në gjendjen civile nga një punonjëse e këtij institucioni në Gosë, në vitin 2012, kohë kur është bërë edhe regjistrimi elektronik i popullsisë. Që atëherë kanë nisur problemet e familjes sonë. Unë shkova të merrja certifikatë në gjendjen civile, por djali dilte me mbiemër tjetër.

A keni gjetur zgjidhje?
Askush nuk na ka dhënë zgjidhje, e tashmë jam dorëzuar përballë indiferencës totale të strukturave të shtetit. Ku të shkoj, ku të përplasem?! Bashkëshorten e kam të shtruar në spital, djali ynë me fëmijët ka mbetur në Itali, nuk mund të vijnë dot, nuk mund të shoh nipat.

Ku jeni ankuar?
Kam shkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë, në Kavajë, në polici, në Ministrinë e Brendshme. Nuk kam më as para, e as fuqi, të lë shtëpinë e punët e fshatit për të ndërruar mbiemrin.
Nuk kam më as para t’i drejtohem gjykatës për këtë. Në policinë kufitare të Durrësit mora edhe vërtetim që djali nuk ka espouls. Ku nuk më kanë çuar e nuk më kanë zgjidhur punë.

Si është e vërteta e mbiemrit tuaj të ndryshuar?
Në vitin 1991, emigruam unë në Greqi për 10 vjet. Më 12 tetor të 1993 me vendim gjykate nga Masar Saraçi, ndërrova emrin në Jorgo Ilia, ndërsa bashkëshortja nga Nazime, në Aleksia Ilia. Kemi dy vajza dhe një djalë Miltjanin, i cili dy herë më parë është pajisur me pasaportë me gjenealitetet; Miltjan Jorgo Ilia. Tani figuron me mbiemrin Saraçi në certifikatë. Një gabim që ka tre vjet që po na ndan prej së gjalli me fëmijët dhe po lë fëmijët e vegjël pa regjistruar në gjendjen civile.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb