Shqipëria mat forcat me Çekinë në orën 20.45. Kuqezinjtë sfidojnë kryesuesit e grupit në kualifikuese të Euro 2024, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv. Ish-lojtari i Kombëtares Altin Rraklli dha një intervistë ekskluzive për News 24, ku nga Praga foli për atmosferën, pritshmëritë dhe për shanset tona për të realizuar objektivin e madh.

 

 

Si është atmosfera aty në Pragë Rraklli, flitet që mund të jenë afro 4 mijë tifozë kuqezi?

Unë jam në qendër të Pragës. Këtu është një zhurmë e madhe, këtu më njohin si një lojtar që ka luajtur diku për Kombëtaren. Nuk e di si i kanë gjetur të gjitha ato bileta. Aq shqiptarë sa kam parë, shpresoj që të ketë vend për ta.

Kohët kanë ndryshuar Rraklli, por Shqipëria vetëm për tifozë nuk ka vuajtur kurrë, as në kohën tende…
Jemi mbështetës të zjarrtë. Mbështetja nuk ka munguar kurrë. Është për t’u admiruar fakti se të gjithë mbështesin kuqezinjtë.

Çfarë ndeshje pret sot Rraklli, çfarë pret sot nga Shqipëria?

Është ndeshja e vështirë pasi Çekia është ekipi elitar i grupit. Duhet të jemi optimist pasi në ndeshjet e fundit kemi treguar nivel të lartë. Po shikojmë një ndjenjë të të qenit ekip. Nuk po shikojmë egoizëm dhe kjo është e rëndësishme.

“Nëse nuk fitojmë, mjafton të mos humbasim”, të duket i drejtë ky konstatim i Silvinjos?

Shumë e drejtë. Po luajmë ndaj një ekipi me kualitet të jashtëzakonshme. Në këtë këndvështrim, duhet të luajmë me shumë kujdes, kështu i zbërthej unë fjalët e trajnerit. Duhet të kemi kujdes që mos të marrim ndonjë goditje. Jam i bindur se nëse mbajmë gjatë ndeshjen në ekuilibër, do kemi rastet tona, të cilat duhet t’i shfrytëzojmë.

Ka disa dilema të vogla në lidhje me formacionin, në këndvështrimin tënd, duhet t’i besojë eksperiencë së Hysajt apo formës së Balliut?
Nuk flas për emra të veçantë. Po të isha trajner, do vendosja emrat që janë në formë. Po më vjen në mendje Muçi që luan te Legia dhe Asllani, i cili është i rëndësishëm në pozicionin që luan. Kemi shumë lojtarë me kualitet. Për emra të veçantë, Hysaj apo Balliu, nuk futem dot sepse është çështje e trajnerit.

Në mesfushë, Ramadani dhe Bajrami duken të sigurt. Nga minuta e parë pritet ta nis edhe Kristjan Asllani, është mbase lojtari i vetëm në Kombëtare që ka minuta me pikatore. Si të duket kjo treshe në mesfushë?

Edhe vjet Asllani nuk ka luajtur shumë me Interin. Gjithsesi, në ndeshjet me Kombëtaren ka treguar formë fizike të mirë. Nuk është problem te Asllani. Sa i përket lojtarëve të tjerë, nuk më takon mua të flas. Jam i bindur se Silvinho do bëjë zgjedhjet e duhura.

Rraklli, si rrallë herë, mbase që nga koha juaj, Shqipëria ka një bollëk të paparë në sulm. Në këndvështrimin tënd, kush do të ishte treshja ideale e sulmit për këtë sfidë (Silvinjo mund të luaj me Seferin, Cikalleshin dhe Jasir Asanin).

Do ta filloja me Muçin dhe Uzunin. Ne kemi shumë lojtarë, dikur nuk e kishim luksin e zgjedhjes.

E te mendosh që na mungon edhe Broja. A ka ardhur koha që Shqipëria të luajë në sulm Rraklli? Më shuaj një kuriozitet, kush të ngjan më shumë nga këto lojtarë që Sylvinho ka në dispozicion?

Nuk është momenti sot që të luajmë në sulm. Sot duhet të kemi një mbrojtje të mirë dhe të shfrytëzojmë momentin. Që të sulmosh një ekip të tillë, duhet të jemi të sigurtë në mbrojtje. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Sulmi do kohën e duhur, gjithçka duhet të vijë gradualisht.

Ku pret të vendoset sot sfida Rraklli, ku do të luhet, kush mendoni se mund të bëjë diferencën sot te Shqipëria?
Nëse do jemi të kujdesshëm mbrapa, ne mund të fitojmë ndeshjen.

E ka luksin Shqipëria të bëjë llogari, a mund të mendojmë që tani për sfidën me Poloninë, duket sikur janë polakët rivalët tanë…

Do ishte gabim nëse mendojmë për Poloninë. Çdo pikë ka rëndësi, nuk ka rëndësi kundështari. Do ishte gabimi më i madh për mendimin tim.

Silvinjo insiston se llogaritë nuk bëhen tani, por në nëntor, nuk janë këto dy sfidat përcaktuese, ti si mendon?
Çdo ndeshje është vendimtare. Nuk merren parasysh se ndaj kujt i ke marrë, pikët janë pikë. Nëse do të bësh llogaritë që tani, do ishte gabim.

Rraklli me jep një parashikim, si del sot ndeshja?

Nuk jam mirë me parashikime, por sot mund të dalim barazim. Mendoj se shkon 0-1 dhe na barazojnë më pas. Shqipëria është e para, pastaj vijmë ne tjerët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb