Nga: MIRSAD RAKAJ*
SHKODER –Festimet për 70-vjetorin e Çlirimit të vendit janë shoqëruar me gafa të rënda në Shkodër. Rilindësi Pashko Vasa, i cili ka kontribuar përmes penës për lirinë e vendit tonë, poeti i mirënjohur Migjeni si dhe patrioti Luigj Gurakuqi janë radhitur në listën e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kanë qenë veteranët e LANÇ-it që kanë konstatuar se në dy tabelat e vendosura nga bashkia e qytetit verior në Varrezat e Dëshmorëve, ishin vendosur emrat e dy poetëve të mëdhenj si dhe ai i patriotit Gurakuqi. Menjëherë, ata kanë kërkuar korrigjimin e kësaj gafe. Kjo është gafa e dytë që Bashkia e këtij qyteti bën gjatë festave të nëntorit. Gjatë kremtimit të 102-vjetorit të Pavarësisë, simboli ynë kombëtar nuk ishte vendosur në pozicionin e duhur, pasi shqiponja dykrenore qëndronte horizontal në flamur.
GAFAT NE FESTIME
Ngjan si lajthitje, por Pashko Vasa, Migjeni dhe Luigj Gurakuqi janë renditur dje mes 68 emrave të dëshmorëve të Shkodrës që dhanë jetën në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Tre personalitetet në fjalë nuk kanë lidhje me Luftën e armatosur Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por, dy tabelat me emrat e tyre dhe të dëshmorëve të tjerë janë vendosur në Varrezat e rikonstruktuara të Dëshmorëve në periferi të qytetit të Shkodrës. Jo vetëm kaq, por emri i Pashko Vasës është vendosur i pari, në tabelën ku lexohej me shkronja të mëdha “Lavdi dëshmorëve të LANÇ”. Emri i Migjenit është renditur i treti, ndërsa i Luigj Gurakuqit, i gjashti. Gafa e radhës e Bashkisë së Shkodrës ka indinjuar veteranët e këtij qyteti, të cilët dje morën pjesë në ceremoninë e festës së 29 Nëntorit. Në momentin që veteranë, qytetarë dhe drejtues vendorë kanë shkuar për të vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve, kanë vënë re gafën e bashkiakëve. “Është e pafalshme që të bëhen gjëra të tilla. Madje duket e habitshme, por ja që shkodranët u dashka të mësojnë se Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, madje edhe Migjeni janë dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një dorë e paditur, e nxituar, ndoshta dhe provokuese, bëri një gafë të tillë”, thanë dje për “Gazeta Shqiptare”, disa veteranë. Një tjetër gafë u bë edhe gjatë festimeve më 28 Nëntor. Kremtimet u përqendruan në qendrën e qytetit që mban emrin e një prej arkitektëve të Pavarësisë, Luigj Gurakuqit, busti i të cilit ngrihet në këtë shesh. Në pamje të parë gjithçka dukej mirë, madje pas bustit të Luigj Gurakuqit, përveç flamurit tonë kombëtar ishin ngritur edhe flamujt e disa prej vendeve të NATO-s. Por, gafa në këtë ditë të rëndësishme lidhej pikërisht me flamurin kuqezi, të cilin punonjësit e bashkisë nuk e kishin vendosur në pozicionin e duhur (shqiponja dykrenore qëndronte horizontal dhe jo me kokë lart në flamur).
DESHMORET E “RINJ” TE LANÇ
Pashko Vasa lindi në vitin 1825 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq më 29 qershor 1892 në Beirut të Libanit. Ai ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, shkrimtar, poet, publicist dhe guvernator i Libanit derisa vdiq.
Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër më 20 shkurt 1879 dhe ndërroi jetë në Bari më 2 mars të vitit 1925. Gurakuqi është hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, hero i popullit shqiptar. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore, në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë.
Migjeni lindi në Shkodër më 13 tetor 1911 dhe vdiq më 26 gusht 1938. Është poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve ’30-të.

 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: