Policia e Tiranës ka vijuar operacionin e koduar “Game Over”, i fokusuar në goditjen e organizimeve të paligjshme të lojërave të fatit, duke evidentuar dy subjekte të tjera që ushtronin aktivitetin e paligjshëm.
Gjatë këtij operacioni, janë sekuestruar 6 makineta dhe 2 aparate celulare, të cilat ishin përdorur për këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë realizuar kontrolle të intensifikuara në ambiente të ndryshme të qytetit, ku dyshohej se mund të kryhej kjo paligjshmëri.
Si rezultat i veprimeve të ndërmarra, policia arrestoi shtetasit P. L., 52 vjeç dhe Sh. Rr., 22 vjeç, pasi në aparatin celular të këtij të fundit u gjetën aplikacione të lotarive të palejuara. Shtetasi Sh. Rr. ishte i punësuar në lokalin që administrohej nga P. L.
Në vazhdim të operacionit, policia arrestoi gjithashtu shtetasin A. Ll., 18 vjeç dhe shpalli në kërkim shtetasin E. T., 34 vjeç. Gjatë kontrollit në lokalin e administruar nga E. T. dhe punonjësi A. Ll., u gjetën 6 kompjutera që dyshohet se ishin përdorur për ushtrimin e veprimtarisë së kundraligjshme të lojrave të fatit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Ky operacion thekson angazhimin e policisë për të luftuar aktivitetet e paligjshme dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.