DURRES- Mes garës së ethshme të numërimit të votave, ku PS vijon të jetë në avantazh të thellë, ‘BalkanWeb’ ju sjell disa detaje nga votimet e ditës së diel. Bëhet fjalë konkretisht për tre qendra votimi në Durrës, në të cilat votuan koordinatori i PS për këtë qark, Vangjush Dako, aktualisht kreu i bashkisë, kandidati i LSI-së, Lefter Koka si dhe kreu i demokratëve të qytetit bregdetar, i pari në listën e PD-së, Oerd Bylykbashi.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se në KZAZ nr. 23 u numëruan dhe dy qendrat e votimit ku votuan kundërshtarët politikë, Dako dhe Koka. Leximi i votës në Qendrën e votimit nr.1451 ku votoi Dako rezultati ishte shumë i thellë në avantazh të PS. Kryebashkiaku votoi në QV-në ish-dyqani I luleve në qendër të Durrësit, në krah të teatrit ‘Aleksandër Moisiu’.

Kjo qendër votimi nxori fituese PS me 163 vota, PD 60 vota, ndërsa LSI 30 vota. Sakaq, kandidati i LSI-së, Lefter Koka votoi në qendrën 14 89/1 në shkollën e mesme ‘Gjergj Kastrioti’, por pavarësisht këtij fakti LSI nuk fitoi në këtë qendër. Rezultati ishte; PS 185 vota; PD 93 vota; LSI 44 vota; PDIU 6 vota.

Sakaq, Oerd Bylykbashi votoi në qendrën nr.14 72 në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në lagjen numër 1, por rezultoi që PD humbi në këtë zonë. ‘BalkanWeb’ mëson se PS mori 163 vota; PD 102 vota; LSI 53 vota; PDIU 12.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb