Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën në Partinë Demokratike.
Sa i përket zgjedhjeve në PD-në zyrtare, Topi u shpreh se gara në këtë forcë politike është hapur “për t’u fituar nga Lulzim Basha”.
Sakaq, ai foli edhe për kampin tjetër demokrat, atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin tha se ka artikuluar që në vitin 2005 se nëse fitonte zgjedhjet e përgjithshme do bënte zgjedhje që të vendosej dikush tjetër kryeministër, një deklaratë që Berisha e ka bërë së fundmi.
“Basha është një personazh aq i ekspozuar sa nuk ka nevojë për etiketim. Rikthimi i tij është i sigurtë në krye të Partisë Demokratike zyrtare. Kur është folur për programe këtu? Në 3 palë zgjedhje, një herë fitohet me timon, një herë me dajre e më pas me tepsi. Për të drejtuar vendin nuk ka nevojë për program, kur gara është e hapur për t’u fituar nga Basha.
Kur flasim për program flasim për një parti serioze, por kjo nuk është. Po të kthehem në vitin 2005, Berisha në mjedise të caktuara artikulonte dhe mundësinë se jo domosdoshmërisht ai do ishte kryeministër, por do ishte dhe filani e filani. Në funksion të audiencës, kur ka njerëz të mërzitur me lidershipin e tij, ai tenton të japë një opsion që unë jam këtu, por jo domosdoshmërisht unë.
Vetë Berisha e di që është me shansin zero për të ardhur në pushtet. Edhe sikur të mos ishte non-grata ka elementë të tjerë që lidhen me dështimet në qeverisje. Ai iku në vitin 2013 me kontestim të jashtëzakonshëm publik. Ka edhe shumë momente që e shoqërojnë. Është mosha biologjike po ashtu”, u shpreh ai.