Gazetari Anri Bala, i ftuar në studion e News24, ka analizuar rezultatet e sondazhit të publikuar mbrëmjen e djeshme për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, realizuar në bashkëpunim me kompaninë italiane Notosondaggi.

Sipas Balës, fushata elektorale deri tani është e vakët dhe pa entuziazëm të dukshëm, ndërsa vë në pah qetësinë me të cilën po e përballon situatën kryeministri Edi Rama.

“Në fushatë nuk ka një entuziazëm të madh deri tani. Rama duket i qetë në gjykimin tim,” u shpreh Bala.

Gazetari komentoi edhe zhvillimet brenda opozitës, duke e cilësuar si “shpresë false” pritshmërinë e demokratëve për heqjen e “non grata”-s ndaj liderit historik të PD-së, Sali Berisha. Sipas tij, vetë konsulenti amerikan Chris LaCivita ka bërë të qartë se nuk përfaqëson administratën Trump.

“Demokratëve iu dha një shpresë false si fillim, duke u përfolur se mund të hiqet non grata e Berishës. Vetë LaCivita e pranoi se nuk ka ardhur si përfaqësues i administratës së Donald Trump,” theksoi Bala.

Në fund, gazetari nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së lartë në votime si faktor kyç për një ndryshim të mundshëm politik në vend:

“Sa më shumë votues të kemi, aq më shumë shpresë do kemi për rotacion politik.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb