Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, për vitin 2025 janë hapur 1186 pozicione të lira për të gjithë ata që plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore.
Përkatësisht në vendim bëhet me dije se këto pozicione ndahen në: 5 vende për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues; 93 pozicione për kategorinë e mesme drejtuese; 283 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese si dhe 805 pozicione vakante për kategorinë ekzekutive.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/ 2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave vendosi: Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2025 është gjithsej 1186, të ndara sipas kategorive: a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 5; b) Për kategorinë e mesme drejtuese 93; c) Për kategorinë e ulët drejtuese 283; ç) Për kategorinë ekzekutive 805″, – thuhet në vendim.
Në këtë të fundit nënvizohet grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë: Shkenca juridike, audit i brendshëm, shkenca ekonomike, shkenca ekonomike/juridike, shkenca shoqërore, shkenca sociale, histori-filologji, shkenca mjekësore, veterinari, agronomi, zootekni; mbrojtje bimësh, shkenca biologjike dhe të ngjashme me to, Kimi, Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme, shkenca inxhinierike, arkitekturë, arkeologji dhe restaurime, artet e bukura, gjeodezi, shkenca ekzakte, shkenca edukimi, mësuesi, arsim i lartë ushtarak/policor, arsim i lartë.
Plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, gjithsej 805, në kategorinë e ulët drejtuese, gjithsej 283, apo kategorinë e mesme drejtuese, gjithsej 93, bëhet së pari nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendin/ vendet e lira.
(Balkan Web)