Deputeti i PD dhe njëherazi anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ervin Salianji e quajti proces farsë dhe të paracaktuar garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Salianji thotë se konkursi për numrin një të Policisë së Shtetit po përdoret si tender te grupet kriminale.
I ftuar në studion e News24 me gazetaren Ola Bruko, Salianji iu referua edhe largimit të Muhamet Rrumbullakut, duke deklaruar se ai u bë “kokë turku” për shkak të skandalit të TIMS.
Sipas tij, ish-kreu i Policisë dështoi në mbulimin e çështjes së keqpërdorimit të të dhënave të sistemit TIMS, gjetjet e të cilit u bënë publike edhe nga komisioni hetimor parlamentar i drejtuar nga deputeti demokrat, dhe pasoja për Rrumbullakun, shtoi Salianji, do të ishte largimi nga detyra.
“Gara për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë është farsë. Komisioni që përzgjedh kandidaturat është politik. Pikët do t’i vendosin këta. Rrumbullaku u largua se nuk e mbuloi mirë skandalin e TIMS. E kemi thënë në komisionin hetimor dhe koka e turkut do të ishte ai, i hoqën të gjithë ata që kishin të bënin me atë skandal. Ishte dorëheqje e detyruar. E detyruan. As nuk takohej më nga ministri, deri në momentin që dha dorëheqjen. Dorëheqjen nuk e nxori Rrumbullaku, por Ministria. Gledis Nanos i këruan dorëheqjen, nuk e dha, u tha më shkarkoni, e shkarkuan dhe sot Gledis Nano merr rrogën si drejtor. Rrumbullakut i kanë lënë detyrën që të bëjë ndërhyrjen në TIMS, çedoi në mbulimin e ngjarjes dhe e larguan. Zgjedhja e drejtorit të ri të policisë nuk ka kritere pikëzimi, as profesionale, as grade, është kot. Është tenderim te grupet kriminale se cili do të influencojë më shumë për zgjedhjen e drejtorit.
Se kush do të jetë, po tua them emrin do të duhet sikur influencoj apo kam interes për kandidatët në garë. E gjithë gara është farsë. Një pjesë e madhe e këtyre që janë në garë do jenë drejtorë qarqesh. Aty kishte emra në kërkim, ai kishte hyrë aty, këta nuk e gjejnë. Ministri tha se do jetë gjeneratë e re, ku e di ministri? E kanë paracaktuar dhe thotë hajde të bëjmë një garë, ca emra”, u shpreh Salianji.
(BalkanWeb)