* PD: Banorët e Lishan i Epërm kapin një furgon, shpërndante miell, “arrestohet” shoferi
* PS: Ja si fotografohet vota nga militantë të PD-së
* PD: 8 Persona fotografuan votën, votues të PS
* PS-PD denoncojnë incidente: Thasë me miell e fotografim votash
* KQZ: Pjesëmarrja në votim 60%

DIBER- Qytetarët e Dibrës kanë votuar ditën e sotme për kryetarin e ri të Bashkisë. Muharrem Rama i ASHE-së dhe Sherefedin Shehu i APD-së përballen me njëri-tjetrin në zgjedhjet për kreun e ri. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, votimi zyrtarisht u hap në orën 7:00, ndonëse pati vonesa dhe përfundoi në orën 19:00.

Palët, si PD ashtu edhe PS denoncuar disa parregullsi por që për KQZ nuk cenonin procesin. Në orën 22:10 ka përfunduar dorëzimi i kutive të votimit në KZAZ 19, ku pas trajnimit të numëruesve do të fillojë edhe procesi i numërimit të votave.

Sipas kreut të KZAZ 19, numërimi i votave do të fillojë në orën 23:00, dhe parashikohet që në orën 10:00 të paradites së të hënës të dalë edhe rezultati. Sipas KQZ, pjesëmarrja në votime ditën e sotme ka qenë 60 %.

Në Dibër janë 118 qendra votimi, ndërsa 57 018 zgjedhës ishin parashikuar që të hidhnin votën e tyre për kandidatin e dëshiruar.

14285187_10208625959781299_906781279_o

Profesori i Ekonomisë Sherfedin Shehu dhe mjeku Muharrem Rama përballen së bashku, pas një fushate elektorale që mbajtën prej gati një muaj. Njëri prej tyre do të zërë vendin e ish-kryebashkiakut të majtë Shukri Xhelili i shkarkuar nga kjo detyrë pas publikimit të një skandali seksual, ku i kërkonte seks në këmbim të një vendi më të mirë pune vartëses së tij në bashki.

Ndonëse si rregull hapja e qendrave të votimit duhet të ishte bërë në orën 7:00, procesi i votimit nisi pak më vonë. Shkak i voneses është bërë ndryshimi i komisionerëve që janë ndryshuar në minutat e fundit. Gazetarja e ‘News24’ Elda Menga nga Dibra përcjell se janë 20 komisionerë që janë ndryshuar.

SHEFI I KOMISARIATIT DIBËR PËR NEWS24: GJATË DITËS SË SOTME KA PATUR 2 INCIDENTE
ORA 22:45- Shefi i komisariatit Dibër, Robert Ago duke folur në “News24” tha se procesi zgjedhor në Dibër është shoqëruar me deklarata të vazhdueshme. Ago tha se gjatë ditës së sotme ka patur 2 incidente. Sipas tij nuk ka patur ndonjë denoncim nga PD. Ai tha se media ka përcjellë shumë mirë lëvizjet e policisë, duke theksua se shërbimet e policisë kanë qenë në efiçencë të plotë.

PERFUNDON PROCESI I DOREZIMIT TE KUTIVE NE KZAZ
ORA 22:10- Ka përfunduar procesi i dorëzimit të kutive të votimit në KZAZ 19. Me mbërritjen edhe të kutive të fundit, do të nisë trajnimi i numëruesve e më pas procesi i numërimit të votave.

BOGDANI: U TENTUA BLERJA E VOTËS ME ÇDO KUSHT NGA TË MAJTËT, SHEHU ËSHTË FITUES
ORA 21:58 – Demokrati Gert Bogdani tha se procesi i zgjedhjeve në Dibër është i dhunuar që prej fillimit, pasi sipas tij, u përdorën paratë e krimit dhe drogës për të blerë votën e qytetarëve. Duke folur për mediat, deputeti Bogdani tha se të majtët tentuan në çdo formë blerjen e votës.

“Ky është një proces i dhunuar sot në Dibër, nga aleanca e qeverisë më krimin. E them këtë pas kështu nisi edhe mënyra të vendosjes së kandidatit të tyre. Këtë e dinë dibranët, edhe do ta tregojnë me votën e tyre. Një proces që përfshiu paratë e krimit dhe drogës. Një proces ku policia ishte në mbështetje të skemës së mirëorganizuar kriminale në përpjekje për blerjen e votës. Janë raste që i kem denoncuar sot, por edhe i kemi kallëzuar penalisht. Një proces që u tentua me çdo formë, me para, me thasë me miell, për të deformuar votën e qytetarëve dibranë”, tha Bogdani.

Por sipas tij, ky proces ka patur risi faktin se “Risia e gjithë këtij procesi, është se qytetarët dibranë të majtë e tëdjtathtë u bashkuan me kandidatin e djathtë, për t’i thënë jo parave të korrupsionit. Vullnetin e qytetarëve nuk mund ta deformojnë paratë e krimit, e drogës. Ndaj ne presim me optimizëm, numërimin e votave dhe shpalljen e rezultatit. Një fitore e thellë për Sherefedin Shehut. I ka ardhur fundi aleancës së qeverisë dhe krimit. Pushtetarët e kanë bërë rrugë që të blejnë vota, por Dibra sot do t’u japë këtë mesazh qytetarëve që kjo gjë nuk mund të vazhdojë”.

Gert Bogdani (2)

KREU I KZAZ: NUMERIMI I VOTAVE DO TË FILLOJË NË ORËN 23:00
ORA 21:45- Kreu i KZAZ 19, tha se numërimi i votave do të fillojë në orën 23:00. Fadil Begu theksoi se nuk ka patur parregullsi me kutitë e votimit të dorëzuara në qendrën e numërimit.

MBËRRIJNË NË SALLËN E NUMËRIMIT KUTITË E 80 QENDRAVE TË VOTIMIT NGA 118 TË TILLA
ORA 21:00 -Në KZAZ 19 kanë mbërritur kutitë e 80 qendrave të votimit nga 118 të tilla. Ende nuk janë nisur kutitë nga Melania dhe 4 nga Peshkopia. Për të garantuar sigurinë e transportimit të tyre, kutitë e votimit shoqërohen nga makinat e policisë.

PD: PROCESI, ME TENSIONE PËR SHKAK TË SHANTAZHEVE. SHEHU KA FITUAR BINDSHËM
ORA 20:30 – Zëdhënësja e shtabit të PD, Irini Shehu, deklaratë për mediat, ka folur në përmbyllje të procesit të votimit në Dibër, se nga informacionet që kjo forcë politike ka, kandidati i djathtë ka fituar bindshëm.

Shehu tha se procesi është shoqëruar me tensione për shkak të shantazheve. Ndërkaq, ka theksuar se rëndësi ka transporti i kutive të votimit drejt KZAZ 19 ku do të bëhet edhe numërimi i votave.

MBYLLET NUMËRIMI, DEPUTETJA E PS: FITORJA E KANDIDATIT TONË ËSHTË NË KUTI
ORA 20:00 – Pas përfundimit të procesit të votimit në Dibër, ku qytetarët votuan për kryetarin e ri të Bashkisë, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ka deklaruar fitoren e kandidatit të majtë, Muharem Rama. Gjatë një deklaratë për mediat, Gjylameti u kërkoi partive që “të pranojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, ndërsa kërkoi nga policia garantimin e transportimit të materialeve zgjedhore në vendin e numërimit.

“Dibranët kanë bërë sot zgjedhjen e duhur. Fitorja e kandidatit tonë është brenda kutive dhe këtë do ta dëshmojnë kur të përfundoi procesi i numërimit. Të transportohen kutitë e votimit në KZAZ, dhe të lexojmë me përgjegjësi dhe një për një votat”, u shpreh ajo.

Deputetja socialiste tha se parashikohet që procesi i numërimit të votave për bashkinë e Dibrës të mbyllet pasditen e nesërme.

DEKLARATA E DEPUTETES BLERINA GJYLAMETI
Të gjithë dibranët duhet të ndjehen sot krenar për nivelin e pjesëmarrjes së tyre në votime. Me zgjuarsi dhe qytetari ata ju përgjigjën sot apelit për të dalë masivisht në këto votime të cilat janë tejet të rëndësishme për të ardhmen e Bashkisë Dibër.

Përtej disa incidenteve të lokalizuara, procesi i votimit u zhvillua brenda standardeve duke dëshmuar përgjegjshmëri maksimale. Qytetarët dibranë nuk ranë pre e provokimeve dhe as nuk u trembën nga incidentet e inskenuara qëllimisht nga Partia Demokratike me synim prishjen e procesit.

Populli i Dibrës, tashmë e ka shprehur vullnetin e tij me votë. Votat ndodhen brenda kutive të votimit, ndaj është më shumë rëndësi që tanimë të përmbyllet në zbatim të plotë të ligjit procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit pranë Komisionit Zonal Zgjedhor në Peshkopi. I kërkojmë organeve ligjzbatuese që të kujdesen për të garantuar transportimin e materialeve zgjedhore pa incidente.

Dibranët e kanë bërë sot zgjedhjen e duhur duke i dhënë besimin njeriut që do tu shërbejë për vitet e ardhshme. Na mbetet të lexojmë një më një e në respekt të ligjit çdo votë që ndodhet brenda kutive të votimit. Kërkojmë nga të gjitha subjektet politike të përfshira në këtë proces që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

KQZ: MBYLLET PROCESI I VOTIMIT, PJESEMARRJA NE VOTIME 53%
ORA 19:15 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se procesi i mbylljes së qendrave të votimit është në mbyllje dhe ka filluar dorëzimi i materialeve zgjedhore nga QV-të në KZAZ-ne nr, 19, ku do te behet edhe numerimi i votave, ndërkohë që pjesëmarrja deri në orën 19.00, bazuar në informacionin që kanë përcjellë QV-të kanë raportuar në KQZ.

Lidhur me informacionet e ndryshme të publikuara gjatë ditës së sotme megjithse minimale dhe që në thelb nuk cënojnë mbarëvajtjen e procesit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në asnjë nga 118 qendrat e votimit nuk ka munguar asnjë nga elementët që parashikon Kodi Zgjedhor si bazë materiale zgjedhore.

Planifikimi në kohën e duhur i bazës logjistike zgjedhore sipas një sistemi të organizuar dhe jo rastësor, disponimi i saj në sasi dhe cilësinë e kërkuar, si dhe dërgimi i saj në destinacionin e duhur së pari pranë KZAZ-së nr. 19, dhe nga kjo e fundit në cdo QV, rezultoi pa asnjë mangësi në materialet zgjedhore, dhe i shërbeu mbarëvajtjes me sukses të procesit votimit.

Bashkëpunimi i sekretarëve dhe komisionerëve të Qendrave të Votimit me KQZ-në, duke komunikuar në kohë reale dhe korrekte për të përcjellë të gjithë dinamikën e procesit të votimit solli informimin korrekt dhe të saktë të opinionit publik, ndaj KQZ falendëron për bashkëpunimin dhe profesionalizimin e komisionerëve dhe të medias të cilët pasqyruan situatën reale të procesit të votimit, duke shpresuar që ky raportim do të vijojë edhe gjatë procesit të numërimit.

MBYLLET PROCESI I VOTIMIT, NIS DOREZIMI I KUTIVE NE KZAZ 19
ORA 19:00- Ashtu siç edhe ishte parashikuar, në orën 19:00 ka nisur mbyllja e qendrave të votimit. Ndërsa në KZAZ 19 kanë mbërritur edhe kutitë e para të votimit, ku pasi të mbërrijnë të gjitha materialet, do të fillojë edhe procesi i numërimit të votave.

Votimi është mbyllur në Qendrën 1139 në Peshkopi, në Qendrën 1121 në Maqellarë, në Qendrën 1153 në Pollozhan; në QV 1120 në Bllat; në QV 1118 në Muhur.

Raportohet se në Lurë ende nuk ka mjet për transportimin e materialeve zgjedhore.

KQZ: PJESËMARRJA NË ZGJEDHJE DERI TANI 43%, APEL QYTETARËVE TË USHTROJNË TË DREJTËN E VOTES
ORA 16:10- Në një deklaratë për mediat, Zëdhënësja e KQZ tha se pjesëmarrja e deritanishme ( ora 16:00) në votime në Dibër është 43%. KQZ u ka bërë apel qytetarëve q të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, dhe të ushtojnë votën pa u ndikuar dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë.

Ndërkaq, KQZ ka njoftuar se pas votimit do të nisë edhe trajnimi i grupeve të numërimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se pas mbylljes së Qëendrave të Votimit, do të bëhet trajnimi i grupeve të numërimit të cilët janë të emëruar nga Komisioni Zonës së Administrimit Zgjedhor. KQZ vlerëson komunikimin e të gjithë sekretarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe anëtarësisë së tyre me KQZ, komunikim i cili ka qënë permanent, korrekt dhe në kohë reale, jo vetëm për pjesëmarrjen në votime por për të gjithë dinamikën procesit të votimit deri tani, dhe inkurajon vazhdimësinë e këtij komunikimi deri në mbylljen e procesit të votimit dhe dorëzimit të bazës materiale pranë KZAZ-së nr. 19, ku do të bëhet edhe Numërimi i Votave.

KQZ ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkisë Dibër, t’i drejtohen kutive të votimit, dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, atë të votës së lirë, të fshehtë dhe të pandikuar”, tha zëdhënësja e KQZ.

Ora: 14:58- PS: Bllokohet procesi i votimit në fshatin Muhur
Partia Socialiste ka reaguar duke theksuar se procesi i votimit në fshatin Muhur në Dibër. “Është bllokuar procesi i votimit në qendrën 12/12. Anëtari i kryesisë së PD, Shkëlzen Qoku ka hyrë në qendër votimi. Qoku shoqërohej nga deputetja Jorida Tabaku. Shkëlzen Qoku është konfliktuar me vëzhguesit e komisionarët”, thuhet në reagimin e PS-së.

Ora: 14:03- Shtabi i ASHE: Ja si fotografohet vota nga militantë të PD-së
foto
Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit të majtë ka denoncuar sërish
fenomenin e fotografimit të votës në qendrën e votimit nr.1130, në fshatin Pekë të njësisë administrative Melan. “Vota është fotografuar nga një votues i kandidatit të koalicionit të opozitës Sherefedin Shehu.”, thuhet në reagimin e Shtabit të ASHE.

Ora 13:40-PS: PD material propagandistik
shkresa
Në disa qendra votimi komisionerët e PD kanë shkelur përcaktimet e Kodit Zgjedhor duke ekspozuar në ambientet e brendshme material propagandistik partiak dhe me siglën e kësaj force politike.
Ora:13: 28-PD: Banorët e Lishan i Epërm kapin një furgon, shpërndante miell
Sipas Partisë demokratike, banorët në fshatin Lishan i Epërm, kanë konstatuar një furgon që shpërndante miell në këmbim te votës. “Banoret kane kryer arrest qytetare për shoferin e furgonit dhe kane sekuestruar sasinë e miellit.”, pohon PD në reagimin e saj.
miell furgona
Ora: 13:36-Shtabi i PD: Dibranë, dilni e votoni
Ndërkohë, në një deklaratë tjetër zedhenesja e Shtabit te PD, Irini Shehu i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime, ndërsa theksoi se nuk duhet të bien pre e shantazheve.

“Deri në këto momente që flasim, pjesëmarrja në zgjedhje është e kënaqshme. Qytetarët po vijojnë votimin normalisht. Unë ju bëj thirrje votuesve të dalin masivisht në votime pasi sot qytetarët e Dibrës kanë në dorë të vendosin për të ardhmen e tyre. Qytetarët e Dibrës kanë dëshmuar se përfaqësojnë vlerat e demokracisë, as nuk tremben, as nuk shantazhohen, as nuk blihen. Askush nuk e ndryshon dot vullnetin e tyre. Sot, çdo njeri prej nesh, qytetarëve të Dibrës, ka në dorë me votën e tij të bëjë ndryshimin e madh për Dibrën dhe për të ardhmen tonë. Të dashur bashkëqytetarë; Dilni masivisht dhe votoni me qytetari, me mençuri dibrane.”, deklaron zëdhënësja e Shtabit të PD-së.
zedhenesja
Ora: 13:34- ASHE: Pjesëmarrja tregon se Dibra refuzon dhunën
Shtabi i ASHE-së me anë të një deklaratë për mediat, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre, ndërsa thekson se Dibra refuzon dhunën. “Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit të majtë Muharem Rama falënderon qytetarët dibranë për pjesëmarrjen e deritanishme në procesin e votimit. Kjo pjesëmarrje është tregues i qartë se populli i Dibrës nuk pranon dhe refuzon dhunën e incidentet. Inkurajojmë qytetarët të vazhdojnë të dalin masivisht në votime, të përcaktojnë kështu me vullnetin e tyre të lirë kryebashkiakun e ardhshëm. Denoncojmë tentativat e vazhdueshme të Partisë Demokratike për të përbaltur dhe prishur procesin zgjedhor përmes deklarimesh të pavërteta që në thelb synojnë të prishin procesin. Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Dibrës të votojnë të qetë e të lirë për të vendosur si fitues atë kandidat që e konsiderojnë të duhurin për drejtimin e bashkisë.”, citohet në reagimin e ASHE-së.

Ora: 13:12- KQZ publikon rezultatet e deritanishme të pjesëmarrjes në votime
Tabelat me rezultatet e deritanishme nga KQZ 1

Ora 13:00: KQZ: Deri tani kanë votuar 26 % e zgjedhësve
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njofton se zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës vijojnë të zhvillohen në mënyrë të qytë dhe se pjesmarrja në votime është rritur. Sipas Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve deri në orën 13:00, në të gjitha Qendra e Votimit kanë votuar 26 për qind e votuesve me të të drejtë vote. Gjithnjë sipas KQZ procesi i votimit ka filluar në 118 Qendrat e Votimit.KQZ u bën thirrje votuesve të ushtrojnë të drejtën e tyre, të votojnë.


Ora:12: 08- PD: 8 Persona fotografuan votën, votues të PS
Ora 12:00-Ndërkohë nga Partia Demokratike denoncohet fakti se janë kapur disa persona që kanë fotografuar votën. Sipas PD, të gjithë kishin votuar për PS. “Gjon Mehmeti, votues i PS zbuloi votën. Iu shpall e pavlefshme vota sepse po e fotografonte. Incidenti në qendrën e votimit, 1136, në Dobrovë, Peshkopi. Në këtë qendër po ashtu 7 persona të tjerë kanë fotografuar votën”, citon PD.

Ora:12: 04- PS: Militante te PD dhunuan vezhguesin tone
Partia Socialiste ka ngritur shqetësimin e saj se në qendrën e votimit nr.1195 në Kander ka ndodhur një incident. Sipas tyre, militantë të PD-së kanë dhunuar jashtë qendrës së votimit një vëzhgues të selisë rozë.
Ne foto, kandidati i djathte, Sherefedin Shehu, bashkë me vajzën e tij sot ne Diber
Sheferedin Shehu me vajzen
Ora: 12:00- Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin e saj në lidhje me praninë e ish-deputetit Ndoka në një nga qendrat e votimit në Klloboçisht.

Ish-deputeti Arben Ndoka në një qendër votimi në Klloboçisht
flamur Noka ne Kllobcisht
Ora: 11:47-Kreu i KZAZ nr. 19: Dy raste të fotografimit të votave
Fadil Begu, kryetar i KZAZ nr. 19 ka dhënë detaje në lidhje me mbarëvajtjen e votimit sot në Dibër. Në një deklaratë për mediat, Begu tha se në dy qendra janë kapur qytetarë duke fotografuar vota, ndërsa theksoi se vota e tyre do jetë e pavlefshme.

Ora: 11:40-KQZ: Deri tani pjesëmarrja në votime është 9 %
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të dielën se procesi i votimit në qarkun e Dibrës vijon normalisht dhe se deri në orën 10 pjesëmarrja në votime është 9 %. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha tha se procesi ka filluar në të gjitha qendrat e votimit të 15 njësive administrative të kësaj zone. “Sipas komunikimit të mbajtur me administratën e KQZ-së që ndodhet në Dibër, deri në orën 10.00 pjesëmarrja në votime llogaritet 9 % në total”, deklaroi Hoxha. Hoxha i tërhoqi vëmendjen Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë të mos shpërndajnë informacione të pasakta, duke e lidhur këtë me deklaratën e bërë pak më parë nga ky koalicion se qendra e votimit 1267 është shpërngulur nga sekretari i saj në një ambient privat. Hoxha informoi se KQZ ka miratuar hapjen e kësaj qendre votimi në një ambient privat. “I bëjmë apel Koalicionit të Vëzhguesve Vendore të mos krijojnë kaos me informacione. Detyra e tyre është të ndihmojnë procesin vendor”, tha ajo.

zgjedhjet ne diber 1

Ora: 11:13- Maqellarë, probleme ne dy qendra votimi
Probleme janë regjistruar në dy qendra votimi në Maqellarë. Mësohet se qendrën e votimit nr. 1100 mungon një komisioner i majtë, ndërsa në atë me nr. 1100/1 nuk kanë mbërritur 2 komisionerë të majtë.

ORA: 11:10-Kreu i KZAZ nr.19, Jashari: Emri i Shehut nuk ishte në listat e zgjedhësve
Anëtari i KZAZ nr.19 në Dibër, Nervz Jashari deklaroi se emri i kandidatit të djathë, Sherefedin Shehu nuk është në listën e zgjedhjeve. Sipas Jasharit, ka qenë neglizhencë e kandidatit që nuk është pjesë e listës, ndërsa sipas tij gjithçka rregullohet me një urdhër gjykata. “Ai është bërë banor pasi ka dalë dekreti i Presidentit. Ndaj kjo është procedura e gjitha është për faj të kandidatit. KQZ e ka pajisur atë me formular, por duhet të ishte paraqitur në gjykatë. Listat janë të reja, të dala posaçërisht për zgjedhjet e 11 shtatorit. Ai e ka sjell kërkesën pasi kanë dalë listat. Nuk përbën problem për kandidimin e tij. Pasi në momentin kur shpalli kandidaturën, ajo ishte pajisur me një formular.”, tha Jashari.

Ora:09:54- Voton kandidati Muharrem Rama
voton muharrem rama
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Brunilda, kandidati i majtë Muharrem Rama i është drejtuar qendrës së tij të votimit, ku dhe ka hedhur votën. Ashtu siç ishte përcaktuar, Rama votoi në shkollën “Selim Alliu”. “Sot eshte nje dite shume e rendesishme per te ardhmen e Dibres. I ftoj te gjithe qytetaret te dalin masivisht te votojne. Procesi duhet te jete i qete e pa incidente. Jane qytetaret ata qe me vullnetin e tyre te lire do te percaktojne kryebashkiakun e ardhshem. Faleminderit.
Ora: 09:30– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin, “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të vulës së sekretarit të QV-së, nr. 1167, të KZAZ-së nr. 19, Dibër dhe zëvendësimin me vulë rezerve.”, tha Rama.

Ora: 08:38- Komisionerët nuk janë paraqitur në Armollë të Lurës
Disa komisioner të majtë nuk kanë paraqitur në disa qendra të Maqellarës. Ndërkohë, në njësinë administrative Lurë, në qendrën e votimit Armollë, nuk janë paraqitur asnjë komsioner, as nga e majta dhe as nga e djathta. “Lura është 4 orë larg qytetit të Peshkopisë, ndaj do jetë e vështirë”, tha gazetari Enver Doçi.

Ora: 08:35- Votojnë dy vëllezërit e kandidatit Muharrem Rama
Dy vëllezërit e kandidatit të majtë, Muharrem Rama kanë votuar sot, ndërsa i kanë uruar vëllait të tyre suksese në garë.

KQZ: Votimi nuk ka filluar vetëm në njësinë Fushë-Cidhen
ORA: 08:20- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se në të gjithë Qendrat e Votimit te Bashkisë Dibër ka filluar procesi Votimit. Përjashtim bën QV e njësisë administrative Fushë Cidhen ku ka humbur vula e sekretarit dhe KQZ është vënë në levizje nga KZAZ nr. 19, Dibër, për të bërë zëvëndësimin e vulës. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju uron suksese të gjithë komisionirëve dhe ju sjell në vëmendje zbatimin me përpikmëri dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe të akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të votimit ditën e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i fton të gjithë qytetarët dibranë me të drejtë vote t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë të fshehtë, të lirë dhe të pandikuar. Dita e sotme duhet të karakterizohet nga qytetaria dhe vlerat demokratike, ndaj KQZ i’u bën thirrje të gjithë qytetarëve dibranë, por edhe subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje, të tregojnë maturinë e duhur, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira, dhe të arrijnë standardet e kërkuara.”, citohet në deklaratë.

Mungojnë 2 komisionerë të PS në një qendër në Maqellarë
Ora: 07:38-
Duket se në një qendër votimi në Maqellarë nuk ka nisur ende votimi. Shkak është bërë mungesa e dy komisionerëve nga ana e Partisë Socialiste.

Kur voton kandidati Muharrem Rama
Ora- 07:30-Mësohet se kandidati i majtë, Muharrem Rama do të votojë në orën 10:00, në shkollën ‘Salim Alliu’.

Kur voton Sherefedin Shehu
Ora: 07:30-
Kandidati i djathtë për Dibrën, Sherefedin Shehu nuk dihet ende se ku do të hedh votën e tij sot. Kjo edhe për shkak të procedurave të regjistrimit të tij në Dibër, pasi prej kohësh nuk ishte më banor i këtij qyteti.

DENONCIMI I SHTABIT ELEKOTRAL TË PD-SE
Shtabi elektoral i partisë Demokratike në Dibër ka akuzuar sot PS-në se disponon fakte për blerje të votave. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, Shtabi i PD-së, thekson se banorëve po u bëhen shantazhe për votën, nën ndihëm e administratorëve, kryepleqve dhe drejtorëve të administratës publike. Sipas PD-së, banorët e Maqellarit kapën mbrëmë zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku dhe disa zyrtarë të tjerë duke shpërndarë lekë, në këmbim të votës.

“Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thaseve me miell si dhe përpjekje për shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbrëmshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e nje grupi punonjësish te policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga. Kështu, banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyre Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në prokurori me date 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Konkretisht shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është kallzuar në Prokurori si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave.
Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kane dhënë mbështetje këtij krimi elektoral.

Bert Aga është kallzuar penalisht nga Partia Demokratike me 1 shtator si anetar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shperndarjes së parave në këmbim të votave. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator. Partia Demokratike i siguron qytetarët e Dibrës së nuk do të lejojë me asnje cmim tjetërsimin e vullnetit të tyre nga bandat e Edi Ramës. Vota është e shenjtë. Asnjë presion, asnjë kriminel me mbrojtje shtetërore nuk do ta ndalë dot vullnetin e dibranëve. Partia Demokratike ju bën thirrje qytetarëve dibrane të marrin pjese masivisht në votime dhe të shprehin me votën e tyre të lire vullnetin e tyre sovran e të patjetërsueshëm.”, citohet në reagim.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb