Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) e parashikuar për ditën e sotme e ku pritej të publikohej lista e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, është shtyrë.

Përmes një njoftimi, KLP-ja ka bërë me dijeni se mbledhja do të shtyhet për ditën e mërkurë në orën 10:00 duke shpjeguar se arsyeja e kësaj zhvendosjeje është bërë mosmbërritja e letrës së Komisionerit Publik për ankimimin ose mos ankimimin  e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të datës 4 Shtator 2019 për kandidatin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsi Çelajt.

“Për shkak se deri në momentin e zhvillimit të mbledhjes plenare të KLP e parashikuar për sot në orën 12.00 nuk ka mbëritur zyrtarisht letra e Komisionerit Publik për ankimimin ose mos ankimimit  e vendimit të KPK së datës 4 Shtator 2019 për kandidatin për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsi Çela, mbledhja e Këshillit shtyhet për ditën e mërkurë në orën 10.00. Ju falenderoj për mirëkuptimin!” thuhet në njostimin e KLP-së.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritej te miratonte sot listën me kandidatët, që kalojnë fazën e parë të përzgjedhjes për Prokuror të Përgjithshëm. Në garë për postin e prokurorit të përgjithshëm janë 4 kandidatë: Arta Marku (kryeprokurore në detyrë), Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb