“X” i fundit kundër Venezia-s, por mbi të gjitha ecuria jo pozitive këtë periudhë, bëri që Napoli të lëshonte kreut, por ekipi i Conte-s nuk ka ndërmend të dorëzohet, fundja Inter është vetëm 3 pikë larg. Dy ditë përpara super sfidës me Milan, për të ndezur edhe një herë ambientin në Napoli ka menduar Romelu Lukaku, por bomberi belg është realist teksa thekson se zikaltërit janë favoritë për të fituar titullin në Serie A:
“Inter është favorit, ka një grup më të madh dhe lojtarë me cilësi, duhet të jemi të sinqertë në këtë pikë, por kur sheh këtë sezon, askush nuk e mendonte se do të vinim në këtë pikë. Tani ne jemi këtu, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të punojmë akoma më fort për të parë se deri ku do të arrijmë. Është një ëndërr, por për ta realizuar duhet të shtyjmë më shumë, ditë pas ditë, për të qenë gati në çdo aspekt”, u shpreh Lukaku.
Lajmi i mirë në vigjilje të sfidës kundër Milanit është fakti që Conte ka në dispozicion grupin e plotë, i duhet thjesht të përzgjedh më të mirët. Lajmi jo pozitiv është fakti se stadiumi “Maradona” i sjell fat ekipit kuqezi. Milan nuk humbet prej 7 ndeshjesh radhazi në “Maradona”, madje edhe në vitin kur Napoli fitoi titullin, “djalli” i mposhti me rezultatin e pastër 0-4, ku Leao zhvilloi një sfidë spektakolare. Portugezi do të jetë i vëzhguari special nga të besuarit e Contes.
Kjo është një transfertë shumë delikate edhe për trajneri Conceiçao, me portugezin që mbetet në dyshim të fortë, por dy fitoret e fundit në Serie A dhe pauza që sollën ekipet përfaqësuese i kanë dhënë qetësi dhe kohë për të përgatitur si duhet këtë transfertë.
(BalkanWeb)