Pas akuzave të opozitës për kandidatin e PS-së për kryetar bashkie të Matit Agron Malaj ka reaguar edhe dega e Partisë Socialiste të Matit. Kryetari i PS së Matit, Hasan Pasha i cilëson si shpifje këto akuza, që sipas tij në fakt kanë synimin të godasin kryeministrin Edi Rama.


“Janë kryesisht persona të sponsorizuar nga Partia Demokratike, persona që kanë probleme me shëndetin mendor, njerëz që u janë prishur pazaret dhe persona me preçdentë penal. Berisha e Basha vrasin, vjedhin, mashtrojnë dhe sulmojnë në mënyrën më të ulët kanditatin socialist. Ata harrojnë armatosjen e shqiptarëve në ’97-ën, firmat piramidale, grusht-shtetin 1998, Gërdecin, supervjedhjen e Rrugës së Kombit, vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm, etj, etj”, shkruan Pasha.


Malaj ka qenë gardist i grupit të zjarrit gjatë protestave të 21 janarit 2011. Kryeministri Edi Rama ka bërë edhe një shpjegim për rolin e tij gjatë protestës kur u vranë 4 persona duke motivuar kandidimin e tij për bashkinë e Matit.


POSTIMI I PLOTË
Fjala vret më shumë se plumbi!
Njerëz të ndryshëm, kryesisht militantë të Partisë Demokratike, prej ditësh kanë ngritur akuza e shpifje të shumta për kandidatin e Partisë Socialiste Agron Malaj. Qëllimi i tyre dihet qartë, duke sajuar thashetheme synojnë të godasin Kryeministrin Edi Rama.

Kush janë këto që sulmojnë në studio televizive, gazeta, konferenca shtypi, facebook, instagram, mejhane?
Janë kryesisht persona të sponsorizuar nga Partia Demokratike, persona që kanë probleme me shëndetin mendor, njerëz që u janë prishur pazaret dhe persona me preçdentë penal. Berisha e Basha vrasin, vjedhin, mashtrojnë dhe sulmojnë në mënyrën më të ulët kandaitatin socialist. Ata harrojnë armatosjen e shqiptarëve në ’97-ën, firmat piramidale, grusht-shtetin 1998, Gërdecin, supervjedhjen e Rrugës së Kombit, vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm, etj, etj.

Akuzojnë përfaqësuesit e LSI-së, politikanët që ngritën në institucion vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve, blerjen e votave, organizatorët e trafiqeve. Janë ata që shkatërruan administratën shtetërore me militantët e tyre të paaftë e hajdutë.

Një takëm tjetër janë “gazetarët” e paguar nga politikanët dhe të urdhëruar nga pronarët e mediave. Asnjëri prej tyre nuk publikon qoftë një fakt të vetëm që fajëson kandidatin socialist Agron Malaj. Të gjithë, pa përjashtim, bëjnë komente kafenesh. Të gjithë përdorin një zhargon: “Gardisti i 21 janarit kandidat në Bashkinë e Matit”.

Për njerëzit me probleme të shëndetit mendor nuk mund të komentoj. Ata duhen mëshiruar dhe duhet të lutemi të përmirësohen. Por, të afërmit duhet t’u qëndrojnë pranë pasi një fjalë e urtë thotë: Fjala vret më shumë se plumbi!

(BalkanWeb)