TIRANE – Një efektiv i Gardës së Republikës u përfshi në një incident në Urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza”, ku u paraqit me pistoletë në brez, edhe pse jashtë orarit të shërbimit.

Madje ai u denoncua për kanosje nga mjeku 31-vjeçar, Besmir K., i cili lajmëroi në sallën operative të Policisë së Tiranës, sapo konstatoi armën në brezin e “pacientit”. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:25 të së hënës, në kohën kur gardisti Istref Q., 35 vjeç, u paraqit në Urgjencë për të marrë mjekim, pasi nuk ndihej mirë.

Burimet thanë se simptomat e tij ishin të ngjashme me ato të helmimit nga ushqimi, por nuk u përcaktua nëse ai mund të ishte edhe në gjendje të dehur. Kjo pasi, në momentin që u ndodhi incidenti në spital, efektivi i Gardës u lejua të merrte vetëm serumin dhe më pas u shoqërua për të dhënë shpjegime në Komisariatin nr.4. Sipas disa dëshmitarëve, incidenti ka qenë i dhunshëm, madje efektivi ka nxjerrë edhe armën nga brezi, duke qëlluar në ajër. Por ky fakt nuk u konfirmua nga asnjë prej personelit të Urgjencës së QSUT dhe as nga rojet e sigurisë.

Nga ana tjetër, vetë mjeku, që lajmëroi Policinë për ngjarjen, nuk pranoi të komentonte atë që kishte ndodhur. Burime nga Policia e Tiranës thanë se menjëherë pas ngjarjes ka nisur procedimi penal ndaj gardistit 35¬vjeçar, me akuzën e kanosjes dhe materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurori. Ndërsa mësohet se përveç lajmërimit në sallën operative, mjeku dhe asnjë nga personeli i spitalit nuk ka bërë kallëzim me shkrim për ngjarjen. HETIMI Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, rreth orës 17:25 të së hënës, Policia është lajmëruar nga personeli i sigurisë së Urgjencës së Spitalit “Nënë Tereza”, se një person i armatosur, që mund të ishte punonjës Policie, po kanoste mjekun Besmir K.

Menjëherë pas kësaj telefonate, shërbimet e Komisariatit nr.4 kanë shkuar në vendin ku u dha lajmërimi, duke kryer verifikimet e nevojshme. Burimet thanë se personi që ishte i armatosur ishte punonjës i Gardës së Republikës, Istref Q., 35 vjeç. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ai nuk ishte në shërbim në atë moment, por ishte paraqitur në Urgjencë për të marrë një serum, pasi kishte shqetësime. Ai është shoqëruar në Komisariatin nr.4 për të dhënë shpjegime rreth incidentit për të cilin ishte denoncuar.

Ndërsa edhe mjeku, Besmir K., është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij në rajonin e Policisë, ku ka pasur edhe një ballafaqim me të dyshuarin. Burimet thanë se nga sqarimi që është kryer në Polici, mjeku ka pohuar se është ndjerë i kërcënuar që në momentin që i ka parë pacientit armën në brez. Sipas tij, pistoleta ishte në një vend të dukshëm dhe ndihej i rrezikuar, nisur edhe nga sjellja e pacientit, i cili kishte shkaktuar rrëmujë. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe disa dëshmitarë, pjesë e personelit të spitalit, që kanë qenë të pranishëm në momentin e incidentit. (panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb