Regjisori i njohur Gëzim Kame ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku ndër të tjera foli edhe për jetën e tij profesionale.
Një nga shfaqjet më të dashura për publikun është padyshim “Shi në plazh”, dhe gjatë bisedës në studio regjisori mes emocionesh kujtoi momente nga realizimi i kësaj komedie.
Kame rrëfeu gjithashtu marrëdhënien që ka patur me aktorë të ndryshëm të kinematografisë shqiptare, si me Timo Fllokon, Ndriçim Xhepën, Robert Ndrenikën, me të cilin tha se ka realizuar rreth 12-13 vepra. “Robertin e kam patur krah të djathtë. Është figurë e jashtëzakonshme, punëtor deri në madhështi, këshilltar shumë i mirë”.
Regjisori theksoi se fati i keq i shumë prej aktorëve të asaj kohe është që kufijtë e vendit tonë kanë qenë të mbyllur, pasi shumë prej tyre do të ishin padyshim aktorë të Hollivudit.
Regjisori u ndal gjithashtu tek aktori i ndjerë Sulejman Pitarka, “Meriton të quhet gjigant, ikonë e artit dramatik shqiptar”. Ai rrëfeu se Pitarka kishte 20 vite që nuk luante teatër dhe 5 vite që nuk dilte nga shtëpia, kur regjisori shkoi për t’i treguar një vepër që dëshironte ta vinte në skenë. Pitarka, i cili ishte në moshën 80-vjeçare, si fillim i tha se do t’i duhet gati dy javë ta lexonte pasi kishte vetëm 20 % të shikimit, por po atë ditë në orën 20:00 e telefonoi dhe i tha se e kishte përfunduar së lexuari. “E lexova, më pëlqeu shumë. Ai është roli im”.
Bëhet fjalë për veprën “Pjata prej druri”, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm.
Kame tha se nuk ka parë njeri tjetër veç të madhit Pitarka që në atë moshë të punojë me atë seriozitet dhe me atë mendje kristal. “Pitarka u ripërtëri, e harroi moshën”, tha Kame, teksa dha dhe një mesazh shumë të bukur. “Kjo tregon më së miri se puna e mban gjallë njeriun”.