Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Presidenti Ilir Meta do të kallëzojë sot penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për shpërdorim detyre.
Presidenca njofton se kallëzimi i penal i Presidentit Meta për Kryetarin e KED do depozitohet në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Meta u përplas me Dvoranin për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa tha se përzgjedhja po bëhet në mënyrë mafioze, duke e cilësuar kreun e KED një ushtar të verbër të partisë.
Meta tha mbrëmjen e kaluar në një studio televizive se Dvorani është i vetmi shembull që pritet për të rikthyer besimin tek Reforma në Drejtësi.
“Ai do bëhet shembull dhe ai është i vetmi shembull që pritet për të rikthyer besimin te reforma në Drejtësi në mënyrë që asnjë të mos tallet më siç është bërë në këto dy vite. Shkelja është flagrante, dëmi është i madh. Janë këta përgjegjës dhe është ai përgjegjës që u hap ky debat. Unë si Presidenti Republikës nuk bëj shaka”, deklaroi Meta.
(BalkanWeb)