TIRANE– Është prezantuar sot projekt-platforma për Bursën Bujqësore, e cila synon që t’i japë fund spekulimeve në kurriz të fermerëve dhe prodhuesve. Teksa ka prezantuar këtë platformë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se “Siç ka dhe tregtarë të ndershëm, ka edhe nga ata spekulantë, por ne nuk do të lejojmë që të ketë prodhim nën kosto, prodhim që t’i dalë fermerit me humbje”.

Panariti u shpreh se ky projekt, i cili do të nisë të funksionojë sapo të plotësohet i tëri dhe që në të duhet të përfshihen edhe institucione të tjera, do të vendosë çmimin fillestar, si një mekanizëm që shërben për dakordësimin e çmimit mes palëve.

“Prodhuesit negociojnë me grumbulluesit për një periudhë të caktuar, që mund të jetë njëditore, dyditore, një javore etj. Do të përcaktojnë ato, që unë i konsideroj si çmime të dakordësuara mbi bazën e ankandit, që do të jenë çmimet e referencës. Kuptohet, këto do të jenë çmime që nuk mund të jenë kurrë poshtë kostos së prodhimit. Qëllimi jonë kryesor është mbrojtja e fermerit nga humbja. Të gjithë duhet të jenë në rolin fito-fito dhe nuk ka pse, apo s’duhet të ndodhë që dikush fiton, ndërsa fermeri vetëm humb. Ne nuk do ta lejojmë këtë dhe ky mekanizëm, i cili do të nisë zbatimin së shpejti, do t’i mbrojë fermerët”, theksoi Ministri i Bujqësisë, sipas të cilit, “çmimi referencial është vetëm hapi i parë drejt Bursës Bujqësore që do të jetë edhe mekanizmi rregullator i tregut bujqësor në të ardhmen. Ky çmim do të orientojë fermerët në çmimet e shitjes, blerjes dhe eksportet”, tha Panariti.

Ministri i Bujqësisë tha se një faktor shumë i rëndësishëm është edhe mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin.

“Kjo është në interes jo vetëm të prodhuesit dhe të grumbulluesit, por edhe të konsumatorit. Edhe konsumatori duhet të ketë një transparencë në çmimet e shitjes me shumicë, në mënyrë që kur të kalojë malli bujqësor tek dora e tretë, të ketë një çmim preferencial. Çdo konsumator duhet ta dijë dhe nëpërmjet kësaj platforme mund të orientohet, se sa është sot në Lushnjë apo në një rreth tjetër çmimi i një produkti dhe ai të mos e blejë atë në një treg apo tezgë me 10 fishin e çmimit”, tha ministri Panariti.

Pas prezantimit të strukturës së platformës, fermerë, grumbullues, eksportues dhe krerë të Bujqësisë në qarqe, hodhen idetë e tyre për disa shtime zërash, detajesh apo edhe ndryshime, me qëllim që platforma të jetë sa më atraktive dhe më e pasur me informacione, gjë që u ra dakord për t’u shtuar në mënutë e saj.

Që nga momenti i përfundimit të saj, platforma do të jetë online për çdokënd që ka interes të marrë informacion për çmimet e produkteve bujqësore. “Në të njëjtën kohë, tha Ministri Panariti, ne do të punojmë për të gjetur mënyrën se kush do të ketë akses për të hedhur materiale në të, çmime etj, si dhe për bazën ligjore të funksionimit të saj”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: