Në intervistën e parë si kryeministër i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka thënë se ai nuk ka një shkop magjik për rimëkëmbjen e Greqisë, por gjithsesi ai beson verbërisht tek plani ekonomik që ka. Ai tregoi se disa gjëra mund të realizohen në një kohë të shkurtër, ndërsa shtoi se për ta bërë atë që duhet, së pari duhet të përballet me disa probleme që ai i cilëson si probleme “kronike të shtetit”.

“Nuk kam një shkop magjik. Por unë kam një plan të menduar mirë për atë që duhet të bëhet në Greqi. Mund të bëjmë disa gjëra shpejt, por është e qartë se nuk ka zgjidhje të lehta dhe të drejtpërdrejta për problemet kronike të shtetit grek”, tha ai për BBC.

Por gjithsesi, plani i tij ekonomik “mendon” për shoqërinë greke dhe kjo vërtetohet nga deklarata e tij kur thotë se do të nisë me rritjen e pagës bazë. “Do të sigurohem që paga bazë të rritet sa më shpejt. Kështu që ata që jetojnë me pagën bazë gëzojnë më shumë përfitime nga përmirësimi i kushteve ekonomike”, tha Mitsotakis për BBC, shkruajnë mediat greke.

“Ajo që dua të siguroj është se rritja ekonomike do të ndahet në mënyrë të drejtë. Për mua kjo është sfida më e madhe me të cilën do të përballemi”, u shpreh ai.

Kryeministgri grek premtoi se ulja e parë e taksave dhe tatimeve për bizneset do të bëhet në 1 janar të vitit 2020.

“Qeveria jonë synon të kontrollojë menaxhimin efektiv të shtetit dhe të zvogëlojë shpenzimet e panevojshme kudo që të jetë e mundur. Dhe, për më tepër, një ekonomi që rritet me një normë prej 4% në vit sjell më shumë para në fondet publike se sa nëse lëviz me 2%. Është e thjeshtë”, tha Mistotakis.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: