Biznesmeni Kadri Morina ka ndarë kujtime të paharruara nga takimi i tij me Papa Franceskun gjatë vizitës së tij në Tiranë, duke e përshkruar Papën si një njeri të mrekullueshëm dhe një figurë të dashur për të gjithë.

“Mbaj mend që i kam gatuar Papa Franceskut. Vatikani zgjodhi si drekë fileto viçi, sallatë, ëmbëlsirë dhe pas drekës, Papa kërkoi kuzhinierin dhe tha se ishte dreka më e mirë që kam ngrënë.”, tha Morina. Ai kujton me shumë emocion takimin e tij me Papën, duke thënë se ishte një moment i mrekullueshëm në jetën e tij. “Papa kërkoi të bëjë foto me gjithë personelin. Djali im ka qenë i vogël dhe ai e përqafoi, edhe pse nuk kuptonte shumë se çfarë përfaqëson Papa, deklaroi ai.

Morina theksoi se Papa Francesku ishte një njeri madhështor që ka mbështetur të varfrit dhe ka dhuruar mijëra medalje, ku njërën medalje, Morina e ka marrë si dhuratë personalisht nga Papa, me emrin e tij të shkruar mbi të. Ai e cilëson Papën si një figurë universale, që nuk ishte vetëm i katolikëve, por edhe i myslimanëve dhe i gjithë njerëzimit.

“Papa Francesku ishte më popullori, ishte një njeri social përtej Papatit. Unë kam qenë në Argjentinë ku ai kishte nisur karrierën e tij si prift,” shtoi ai. Morina gjithashtu kujtoi një bisedë që pati me Papën në lidhje me njohjen e Kosovës, ku ai e kishte pyetur Papën dhe ky i fundit kishte thënë: “Do t’i vijë koha.”

Për Morinën, Papa Francesku do të ngelet një njeri i paharruar dhe i dashur për të gjithë, duke pasur një ndikim të thellë në jetën e miliona njerëzve, dhe veçanërisht në Shqipëri, ku rinia po kthehet dhe po e jeton vizionin e Papës për një të ardhme më të mirë.

Biznesmeni Kadri Morina: Mbaj mend që i kam gatuar Papa Franceskut. Vatikani zgjodhi për drekë për Papën fileto viçi, sallatë, ëmbëlsirë dhe pas drekës, Papa kërkoi kuzhinierin se kush ka gatuar dhe tha se është dreka më e mirë që kam ngrënë. Takimi me Papën ishte diçka e mrekullueshme në jetën time. Ai kërkoi të bëjë foto me gjithë personelin. Djali im ka qenë i vogël dhe ai e përqafoi, edhe pse nuk kuptonte shumë se çfarë përfaqëson Papa. Papa Francesku ishte një njeri madhështor, që ka mbështetur të varfërit. Nga 4000 medalje që ka dhuruar Vatikani, unë kam një medalje nga ai. Më ka dhënë dhuratë, ku shkruhej emri im, e kishte bërë për mua. Papa nuk ishte vetëm i katolikëve, ai ishte dhe i myslimanëve, ishte i gjithë njerëzimit. Ndoshta shpirti i madh i Papës bëri që Zoti ta marrë pas Pashkës, lejoi botën të festojë qetë Pashkën. Ishte një njeri super i mrekullueshëm. Është e vështirë që një Papë i tillë të zëvendësohet. Foton me Papën e kemi kthyer në pikturë. Papa Francesku ishte më popullori. Ishte njeri social përtej Papatit, unë kam qenë në Argjentinë ku ai kishte nisur karrierën e tij si prift. Papa Francesku ngelet një njeri i paharruar. Unë i kam kërkuar njohjes së Kosovës dhe tha do i vijë koha. Papa Franceku deklaroi se rinia duhet të kthehet në vend dhe kjo realisht po ndodh në Shqipëri. Papa Francesku dha mesazhe paqeje edhe për Gazën, edhe pse shumica e popullsisë atje është myslimane. Ishte shumë njerëzor.

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb