Bordi editorial i njërit prej mediumeve më të respektuara të Ukrainës, Ukrayinska Pravda, e ka akuzuar zyrën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se e ka nisur fushatë “të presionit të vazhdueshëm dhe sistematik” kundër gazetës, i cili e kërcënon pavarësinë e punës së saj.

Në një komunikatë të publikuar të mërkurën, ajo e akuzoi administratën e Zelenskyt se po përpiqet të shtrijë ndikim në politikat editoriale dhe në gazetarët individualë.

Ukrayinska Pravda pretendon se zyrtarët qeveritarë po e pengojnë punën e saj duke bllokuar intervista, duke ushtruar trysni ndaj bizneseve për t’i tërhequr reklamat dhe duke iniciuar “komunikim emocional” midis Presidentit Zelensky dhe gazetarit të saj, Roman Kravets, gjatë një konferencë për shtyp në gusht.

“Këto dhe sinjale të tjera jopublike sugjerojnë përpjekje për të ndikuar në politikën tonë editoriale”, thuhet në njoftim.

Ajo tha se veprimet e tilla janë veçanërisht shqetësuese gjatë pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kur pavarësia gazetareske është thelbësore.

Bordi redaktues paralajmëroi se çdo përpjekje tjetër për të ndikuar në raportim do të publikohet dhe “do të ketë pasoja në nivel ndërkombëtar.”

Zyra e Zelenskyt nuk i ka komentuar akuzat. Radio Evropa e Lirë e kontaktoi zyrën e tij për komente mbi akuzat e gazetës, por nuk mori përgjigje.

Sevhil Musayeva, kryeredaktore e Ukrayinska Pravda, ka pretenduar në të kaluarën se zyra e presidentit u përpoq ta bllokonte reklamimin në faqen e internetit të gazetës dhe se pronari i uebsajtit kishte refuzuar ofertat për ta shitur atë, të cilat ajo i përshkroi si pjesë të fushatës së presionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: