Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit sportiv Saimir Demi, ka trishtuar mbarë opinionin në vend.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka vlerësuar në maksimum përshkushtimin e Demit në sport. Duka , gjithashtu, i shprehu ngushëllime familjes.
Postimi:
Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale.
Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada.
Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë.
U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri.