LIGA E KOMBEVE- Dita e nesërme është emocionuese për të gjithë tifozët shqiptarë, pasi Kombëtarja do të luajë në transfertë kundër Izraelit, sfidë kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Pas udhëtimit të Kombëtares drejt Izraelit, ka folur mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili iu është përgjigjur pyetjeve ngacmuese të gazetarëve vendas, të cilët e kanë pyetur në lidhje me formën fizike të lojtarit.

Ai është shprehur se edhe pse nuk ka minuta mjaftueshëm në këmbë, do të përpiqet të japë maksimumin në sfidën e së dielës dhe ka bindjen se do të dalin fitues në këtë duel, sepse shqiptarët sipas tij kanë vetëbesim.

Pyetjet dhe përgjigjet e Mavrajt:

Gjendja fizike e juaj është e dobët për shkak të minutave të pakta në klub, si do luani nesër për 90 minuta?

-Jam gati për të luajtur për 90 minuta dhe për të dhënë më të mirën për skuadrën.

Repartet dhe gjendja fizike në krahasim me Izraelin?

-Izraeli ka ndryshuar shumë që nga ndeshja e fundit dhe me trajnerin e ri janë më të fortë dhe ne duhet të shfaqemi më mirë. Me vetëbesimin që morën pas fitores me Skocinë janë edhe më të fortë por ne jemi përgatitur më mirë dhe besoj se nëse luajmë me vetëbesim do fitojmë edhe nesër. 1-0 do të ishte shumë mirë, me zero do të ishte shumë mirë.

Keni ardhur në  Izrael pa bërë asnjë stërvitje dhe si do luani nesër të pa stërvitur, për më tepër keni besim në fitore?

-Ne jemi Shqiptarë dhe vetëbesimin e kemi nga natyra jonë. Stërvitja që kemi bërë na mjafton. Klima nuk do jetë shumë ndryshe dhe nuk do të na pengojë fare.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb