TIRANË-Pedagogu Aurel Plasari nuk harron lehtë. Sipas tij fondacioni Soros që ka operuar dikur në Shqipëri ka qenë e mbushur me mashtruesa dhe i rikthehet kësaj teme sapo Fred Abrahams, një gazetar amerikan i përmend emrin rreth një shkrimi që pedagogu shqiptar ka bërë në vitin 1993 në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Abrahams shkruan se, Plasari në vitin 1993, zv.dekan, “shkroi një artikull therës në gazetën ‘Zëri i Rinisë’, ish­organ i rinisë komuniste. “Më mirë do të kisha dashur të rripja një qen të ngordhur se sa t’u shpjegoja rregullat e universitetit të huajve që e konsiderojnë Shqipërinë si Zululand”

Kaq ka mjaftuar që Aurel Plasari të shpërthejë në zemërim ndaj gazetarit amerikan, Fred Abrahams, i cili së fundmi ka prezantuar librin e tij mbi trazirat e vitit 1997 “Shqipëria e Re”.

“NJËRI NGA TË TRE Një kulish i multimiliarderit George Soros, ish-mashtrues i dikurshëm amerikan Abërham a Abërhim i sponsorizuar me paratë e dallaveraxhiut ndërkombëtar, shfaqet përsëri në Shqipëri si autor libri për të na dhënë “mësime demokracie” ! Vallë të ketë ndryshuar mbas kaq vitesh ?! Mua ma mbajtkësh mend edhe emrin, fundja siç ia mbaj mend edhe unë vëthin te veshi. I paskam bërë “copë” në gazetë, thotë ! Pak u kam bërë, sepse kanë merituar më shumë së toku me pagatorin e tyre. Që të mos harrohen punët dhe të mjegullohen me “mësimet e demokracisë”, ja nga “Zëri i rinisë” 1993 një mundësi për të rilexuar se me ç’mashtruesa të Sorosit kemi pasur të bënim në ato vite dhe se për çfarë i ka pas bërë “copë” Aurel Plasari”, citon Aurel Plasari në rrjetin social, Facebook.

Pas me koment i vjen pedagogu Bardhyl Matraxhiu që i mbështet deklaratën kolegut.

“Tre Qiripupeee….. dhe ky fondacion si rezultat qe nuk i eci largoi me gradim fameleshin, Fron Nazin dhe te tre keta vete. Dhe me vone Kinkel ne nje deklarate zyrtare do ta akuzoje pothuajse direkt kete fondacion “nje fondacion amerikan” si orgganizatore te skemave piramidale e te tjera e te tjera”.

Plasari i përgjigjet se Soros madje kërkonte shkarkimin e personit të tij.
“Nëse mban mend, z. Matraxhiu, mbas pak ditësh ia behu vetë zotëria e tij Soros dhe në një konferencë shtypi u shpreh “i pakënaqur” nga zv.dekani (më quante papushim: the vice-dean, the vice-dean), d.m.th.kërkonte shkarkimin tim ky qytetar i huaj bredharak i botës së batakçillëqeve, athua se unë isha në pagë të tij ! Në mbrëmje takoi presidentin e atëhershëm të Republikës dhe, me sa u kuptua, u hapën letrat e “figurave” të Fondacionit të tij në Shqipëri kështu që në mëngjes herët ndodhi befasia: Sorosi bëri deklaratën që pranonte dorëheqjen e … drejtorit të Fondacionit “Soros” në Shqipëri! Ja pra që një herë i provoi mushka drutë dhe iu tregua vendi njërit prej “specialistëve” të tij. Unë mbroja fakultetin ku shërbeja dhe institucionet e vendit tim, po këta plehra çfarë mbronin? Ja ku ende e ruajnë mllefin ndaj meje plehurinat e vogla të tyre”.

Më pas Aurel Plasari sjell shkrimin e botuar në vitin 1993.
TRE AMERIKANË NË NJË FAKULTET

(Pa llogaritur qenin)

Sqarim për gazetat “Studenti” dhe “Zëri i rinisë” lidhur me një akt keqinformimi të përhapur prej tre qytetarësh të huaj në shtypin shqiptar

Në kohën tek ndodhesha jashtë Shqipërisë, në një veprimtari shkencore ndërkombëtare, mësova se emri im qenkësh zënë ngoje në një deklaratë tre qytetarësh të huaj të quajtur “gazetarë”. E kuptoj inferioritetin e asaj pjese shtypi shqiptar, i cili mezi pret të shumëfishojë edhe deklarata qiripupësh të përbotshëm, ndërkohë që shtypi amerikan, tradicionalisht mezi ka gjetur vend për burrat e shtetit shqiptar.

Gjithsesi, lexuesit të kësaj pjese të masmedias, që mund të ushqehet ende me iluzionin se kultura dhe arsimi i një kombi bëhen me letrën e cilësisë së tretë shitur rrugëve për 8 lekë, do të doja t’i bëja me dije se tre amerikanët në fjalë kanë dëshmuar edhe mungesën e edukatës fillestare përderisa në deklaratën e tyre nuk shprehin as mirënjohjen që u pranuan në pritje, simbas kërkesës së tyre, prej dy zëvendësdekanëve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, prej kolegut tim, Dr. Shezai Rrokaj dhe meje. Sepse unë, fjala vjen, mund të kisha parapëlqyer t’i përkushtohesha rrjepjes së ndonjë qeni të cofur sesa t’u shkoqisja Rregulloren e Universitetit atyre të huajve që Shqipërinë e pandehin ende për Zululand. Boll të kujtoj se tre qytetarët amerikanë i janë paraqitur Fakultetit një herë si pedagogë (prej tyre vetë: “paraqesim kërkesën tonë për t’u dhënë mësim studentëve”), një herë si studentë (prej një “zëvendësdekani” amerikan që mban të njëjtin mbiemër me të zonjushave Salivan, pra, John B. Salivan: “are students at Columbia University’s School of…”), një herë si gazetarë (prej drejtorit të një Fondacioni: “three American journalists”), së fundi si “njerëz energjikë” (prej një përfaqësuesi të FMN-së: “three energic people”) shkurt, sipas Jeromme Jeromme-it: tre amerikanë në fakultet (pa llogaritur qenin).

Nuk e di cili drejtues fakulteti, me mendtë në kokë, do të guxonte të ishte aq i papërgjegjshëm sa t’ua besonte studentët kësi “pedagogëve”! Por edhe sikur këta zotërinj të paskëshin qenë profesorë me mjekra e me përvojë anekënd universiteteve të planetit tonë, nuk besoj të jemi përdhosur deri në atë pikë sa të harrojmë se atributin e përzgjedhjes së tyre për të dhënë ose jo mësim në fakultetet e universiteteve shqiptare e kanë vetëm rektoratet dhe dekanatet përkatëse, dhe as qytetarët amerikanë a marsianë qofshin, as ambasadorët apo drejtuesit e emisioneve të radiove të huaja, as përfaqësuesit e FMN-së a të cilitdo Fondacion, aq më pak ndonjë gazetar spitullaq, të cilin për vete nuk e kanë qasur te pragu i universitetit.

Nuk e di sa vetë ka në Shqipëri që mund të ngashërehen nga përfytyrime me “dëbime amerikanësh”, të cilat të përkujtuakan mjerimin e UNRRA-s! Ngase tre.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: