TIRANË- “Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po më kërcënon mua zyrtarisht nga salla e Kuvendit duke bërë tallava me shkresa jashtë përmbajtjes së intervistës së Dritan Zaganit që unë kam bërë më 24 korrik 2015 në banesën e tij në Vlorë”. Kështu shprehet gazetari Basir Çollaku, i cili i kërkoi organit të akuzëës të nisë një hetim dypalësh, ndaj tij dhe ministrit, pas fjalës së Tahirit në Kuvend, se intervista ishte blerë nga e djathta.

“Duke bërë replika politike me opozitën sot në Kuvend pas akuzave që i ka drejtuar atij ish-Shefi i Antidrogës Dritan Zagani në media, Tahiri ka nxjerrë një dokument dhe duke replikuar me opozitën e duke e trajtuar politikisht trafikun e drogës se gjoja intervista është blerë. Ndër të tjera z.ministër thotë se “Keni blerë intervistën e tij, keni ndikuar intervistën, ndaj jepni llogari për këtë. Pse një polici i është falur tokë dhe objekt në bregdet? Ja ku e keni, Vendim nr.519 datë 13 qershor 2013. Shtetasit Dritan Zagani i keni falur tokë dhe objekt në bregdet. Për çfarë arsyeje e keni bërë këtë dhurim tek ky polic që e keni blerë dhe sot është arratisur?!..” Zoti ministër Tahiri kush më ka blerë mua? Kush e ka blerë intervistën dhe kush ka ndikuar në të? Asnjë deputet apo politikan i djathtë dhe i majtë nuk ka pasur as dijeni as ndikim në berjen e kësaj interviste. Asnjë kacidhe, lek , dollar, euro, nuk ka paguar për këtë intervistë. Më gjeni një njeri që ka paguar z. ministër sepse ju keni qindra agjentë e dhjetëra shërbime nën vartësi. Mos gënjeni, mos shpifni, mos kërcënoni publikisht z. ministër Tahiri. Unë jam gazetar dhe nuk kam ndërmend të pranoj shpifjet tuaja publike se kjo është histori parash. Më mirë jepni përgjigje publikut e ne qytetarëve për makinën, për skafin, për kushërinjtë tuaj, që sipas akuzës së oficerit tuaj janë kontingjent i trafikut të drogës”,- shton gazetari në një status të tijin në Facebook.

Më tej Çollaku shton se “Do të ftoja Prokurorin e Përgjithshëm të verifikojë edhe mua edhe deklarimet e ministrit Tahiri. Kush është blerë. Unë nuk shes e as nuk blej. Artikujt dhe lajmet nuk duan kasë fiskale. Unë apo ministri?? Nëse zoti Llalla nuk e gjen me arsye ligjore apo sikleti ndaj pushtetit që ta bëjë, do ta bëj unë si gazetar duke qenë transparent në çdo detaj, sekond dhe ngjarje. Përse Prokurori i Përgjithshëm me oficerët dhe prokurorët e tij, nuk verifikon të gjitha faktet që paraqet në intervistën e tij ish shefi i Antidrogës Dritan Zagani…?? Pse Prokurori i Përgjithshëm hesht para fakteve që Zagani ka ngritur për prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Përse Prokurori i Përgjithshëm nuk kërkon përgjegjësinë qoftë edhe administrative për vartësit e tij, të cilët arrestuan Dritan Zaganin, në bashkëpunim me gjyqtarët e krimeve të rënda duke qenë person nën hetim, për trafikim të lëndës narkotike në bashkëpunim???? Dihet që kjo akuzë ra. Megjithëse vetë ministri Tahiri pat deklaruar që ky është trafikant droge dhe me arrestin e tij u ndërprenë lidhjet me krimin e organizuar. Përse prokurori i përgjithshëm nuk del publikisht dhe të sqarojë pozicionin e oficerit italian Alessandro Guiliani, nëse ai është bashkëpunëtor në trafikun e drogës sikurse është thënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, apo ka dhënë kontribute në zbulimin e mjaft krimeve të rënda duke dhënë informacione për policinë e shtetit. Përse Prokurori i Përgjithshëm shpërdoron detyrën duke heshtur para faktit se Zagani jo vetëm është arrestuar pa prova për trafik të lëndës narkotike në bashkëpunim, por është mbajtur në burg gjashtë ditë jashtë afatit ligjor. Nuk mbulohen plantacionet e sikurse dhe milionat në llogaritë e trafikut me çarçafë parlamenti i nderuar zyrtar i lartë. Unë i kam bërë vetes dhe gjithë maskarenjve të këtij vendi një premtim dhe një njoftim..nuk jam në këtë zanat për të mbrojtur interesat e asnjë lloj maskarai kushdo dhe ngadoqoftë ai….”

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: