Në rubrikën “Çështja e Ditës” nga Klevin Muka në News24 ishte i ftuar gazetari i kronikës Igli Çelmeta. Tema e rubrikës ishtë operacioni i SPAK ku u lëshuan 50-urdhër arreste.

Gazetari Çelmeta u shpreh se përfshirja e 2 efektivëve të policisë dhe ish-policëve të RENEA në këtë operacion ul besueshmërinë tek qytetarët sepse bisedat e zbërthyera në SkyECC dhe Encro Chat treguan bashkëpunimin e krimit me policinë.

Më tej, Çelmeta shtroi disa pikëpyetje lidhur me Forcat Operacionale të cilat si rrallë herë nuk kanë qenë pjesë e ekzekutimit të urdhër arresteve. Teksa sipas burimeve të tij, dy efektivët kanë pasur informacion pasi ditën e operacionit asnjë prej të përfshirëve nuk është paraqitur në punë.

Sipas gazetarit është e pafalshme për policinë sesi Henerigert Mitri dhe Klodjan Shahini ende nuk janë arrestuar, por vetëm janë pezulluar nga puna.

Pjesë nga intervista:

Igli Çelmeta: Në datën 15 maj SPAK i ka kërkuar Gjykatës të miratojë 50 urdhërarreste, më pas janë vënë në dijeni Policia e Shtetit, pra Drejtori Muhamet Rrumbullaku i cili ka dijeni për të gjithë emrat që do të arrestohen. Sipas procedurës dhe rregullores më tej në dijeni është vendosur Drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati më pas edhe Drejtori për Sigurinë dhe Rendin, Rebani Jaupi. Drejtorët e Qarqeve ku mund të kenë qenë emrat e të cilëve u lëshuan urdhër arrestet. Po ashtu edhe drejtorët e sektorëve në varësi të veprave penale për të cilët akuzoheshin personat e shpallur në kërkim.

Duke qenë se të përfshirë kemi edhe 2 efektivë, Byroja Kombëtare e Hetimit do të bënte ekzekutimet e urdhër arresteve për efektivët, por nuk i arrestoi dot.

Ndërkohë unë dyshoj se ky operacion u dekonspirua pasi 2 efektivët e përfshirë ditën e operacionit nuk janë paraqitur në punë. Do të thotë se kanë qenë në dijeni.

Klodjan Shahini dhe Henerigert Mitri, ky i fundit ka pasur postin e Drejtorit të Policisë Lezhë më herët. Pra kemi të bëjmë me persona të cilët kanë pasur poste të larta dhe nga zbërthimi i SkyECC të dy janë të përfshirë me bandat kriminale. Si ka mundësi që vetëm u pezulluan dhe nuk janë arrestuar?

Ndërkohë si rrallë herë Forcat Operacionale nuk kanë marrë pjesë në ekzekutimin e urdhër arresteve të SPAK. Nga burimet që unë kam ata kanë qenë në dijeni të operacionit dhe të të gjithë emrave për të cilët u prenë fletë arrestet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb