Gazetari i News24 Igli Çelmeta në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, ka paralajmëruar një furtunë në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.
Çelmeta tha se referuar komunikimeve me burime në Ministrinë e Brendshme do të ketë ndryshime në të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, duke nisur nga drejtuesit e departamenteve dhe më pas me drejtuesit e 12 qarqeve.
Gazetari tha se në Policinë e Shtetit ka shumë klane dhe ky është një faktor jo shumë i favorshëm qoftë përsa i takon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ashtu edhe ministrit të Brendshëm.
Ai tha se emrat e rinj që do të marrin drejtimin e departamenteve dhe qarqeve në Policinë e Shtetit do t’i nënshtrohen një gare, e cila pritet të hapet javën e ardhshme.
Sipas Çelmetës, gjithçka do të bazohet në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, ku sërisht do të kemi një komisioni që do të ngrihet, i cili do të vlerësojë kandidatët.
Çelmeta tha se në fund të muajit nëntor pritet të kemi edhe fytyrën e re në Policinë e Shtetit.
“Emrat e rinj, atyre që nuk i ëhstë dhënë mundësia më parë do të konkurojnë për këto pozicione drejtuese dhe do të fitojnë”, tha Çelmeta.
Ai u shpreh se me këto ndryshime, pritet që shumë nga ata që konsiderohen si xhaketa të vjetra në Policinë e Shtetit do të largohen.