FRANCË- E kush nuk e mban mend Bernard Kouchner, një nga njerëzit që luajti rol kyç për çlirimin e Kosovës, ndërsa sërish sot, pas gati 16 vitesh ai ka dalë në mbrojtje të shtetit më të ri të Europës.

Ish-ministri i Jashtëm i Francës, Kouchner dikur, kryeadministrator i Kosovës është përplasur ashpër në një debat në Televizionin “France 2”, kur ka folur për Kosovën.
Gazetari që ka mbuluar luftën në Kosovë, Aymeric Caron, i ka thënë Kouchnerit se Kosova është shtet i dështuar dhe mafioz dhe se për krerët e saj ka akuza për trafikim organesh.
Por po kaq i drejtpërdrejt ka qenë edhe reagimi i Kouchner, i cili i ka thënë gazetarit se është i sëmurë. “Ju jeni i sëmurë. Si mund të imagjinoni trafikim organesh në
një vend ku spitalet nuk kanë pasur energji elektrike?”, mësohet të ketë thënë Kouchner. Më tej ai ka theksuar se ishte vetë Parlamenti kosovar që kërkoi hetime pas raportit të Këshillit të Evropës.

Gazetari Caron ka ngritur pikëpyetje për nevojën e bombardimeve në vitin 1999 dhe madje ka pohuar se përveç Putinit këtë e kundërshtonte edhe Ibrahim Rugova.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne kemi ndërhyrë sepse në Kosovë zhvilloheshin masakra kundër popullatës civile”. Të gjithë kanë qenë pro sepse kishte luftë permanente kundër shqiptarëve të Kosovës. E kemi bombarduar Serbinë dhe mirë kemi bërë. Nuk është e vërtetë që Rugova ka qenë kundër, përkundrazi, ka qenë i pari që fuqishëm na ka përkrahur për bombardime. Pala kosovare ka qenë unanime për intervenim”, ka thënë ish-kryeadministratori i Kosovës.

Sipas Kouchner, Putinin, Perëndimi e kishte paralajmëruar se nuk do të lejonin largimin masiv të kosovarëve dhe vazhdimin e torturave dhe masakrave. Diplomati francez ishte ftuar në emisionin e “France 2” për të promovuar librin e tij.

 

(m.k/d.d/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb