Gazetari nga Gjirokastra, Telnis Skuqi publikon në Facebook-un e tij videon e ngacmimit seksual të një vajze të re, që kishte shkuar të punonte si gazetare pranë televizionit lokal ALPO RTV, prej drejtuesit Aristotel Petro.
Ai shprehet se vajza është ngacmuar seksualisht, siç duket edhe në video, ndërsa shton se me publikimin e pamjeve nuk ka qëllim hakmarrjen, por sensibilizimin, që fatin e saj të mos e kenë dhe të tjera vajza.
Telnis Skuqi, e akuzon Petron për pedofili dhe përfitime seksuale ndaj vajzave të reja që i merr në punë në televizion.
Për denoncimin ka reaguar edhe vetë drejtuesi i televizionit lokal ALPO RTV, Aristotel Petro, në emisionin “Shqipëria Live”. Petro shprehet se e ka parë videon dhe e pranon se është ai në videon në fjalë. Por ai hedh poshtë në mënyrë kategorike se e ka ngacmuar vajzën në fjalë.
“E kam parë dhe jam informuar këto ditë për çdo gjë që ka bërë zotëria në fjalë, Telnisi. Para se të flasim për këtë video, dua që të jemi sa më transparent. Kush është ai që akuzon dhe kush akuzohet. Në atë video jam unë, i tëri dhe i bëri. Nuk e mohoj përkatësinë time në video”, tha Petro.
Sipas tij, video është një kurth nga ana e Telnisit. “Ky është një kurth i ngritur nga mua në drejtim të atij që luan rolin e gazetarit, por që është në shërbim të dikujt tjetër. Edhe prania e asaj vajze e dija që është kurth, dhe kam bërë lojën time. Siç kanë bërë ata lojën e tyre, ashtu bëra edhe unë lojën time. Unë e dija që nga pas regjistrohesha nga njerëz që i paguaja në punë, e paguhen edhe nga ai person.
Unë isha në studio kisha kamerën para. Varet se çfarë po diskutonim, isha duke dalë para emisionit dhe i thashë: Hajde zemra e vogël ik, nuk mund të dalësh këtu.
Te këmba mund të ketë shkuar gabimisht, nuk është qëllimisht. Është diçka pa dashje. Shkarja e dorës është pa dashje, herën e dytë. Doja ta kaloja dorën në pozicionin që po bëja punët e tjera”, shprehet Petro.
“Historia që po trondit Gjirokastrën” e etiketon gazetari Telnis Skuqi postimin e tij shoqërues për videon.
Një nga shumë ish-reporteret e televizonit Alpo, më tregoi dramën e saj personale, disa muaj më parë.
“Ai nuk e meriton të jetë pjesë e komunitetin tonë”, – më shkruajti ish-reporterja, S.G, sot një studente e vitit të dytë në master në Tiranë.
Si fillim, ajo më kërkoi t’i ruaj identitetin e saj.
“E kam pasur ëndërr të isha gazetare, prandaj vendosa të punoja qysh gjimnaziste në Alpo TV”, – nis rrëfimin ajo.
Prindërit e saj e kishin mbështetur, madje ata kishin bashkëbiseduan me administratorin i televizionit, Aristotel Petro.
Sipas saj, Petro ishte treguar i gatshëm ta punësonte në redaksinë e lajmeve.
“Ai kishte një sjellje shumë të çuditshme ndaj vajzave të mitura”, – më thotë ajo.
“Në fillim më prekte në faqe. Sinqerisht mendoja se ishte thjeshtë një veprim inkurajimi, por shpejt ai shfaqi anën e tij më të zezë”, – më rrëfen ajo.
“Ai më shkatërroj jetën! Ai më lëndoi shumë vetëm sepse unë isha e mitur”, – thotë ajo.
Për të, televizoni që administron ishte thjeshtë një karrem për vajzat e mitura.
“Përmes televizonit ai joshte vajzat gjimnaziste dhe më pas ngopte epshet e tij. Ai është i sëmurë. Ai është mostër”, – vazhdonte të shkruaj ajo në inboxin tim në facebook.
“E kam njohur personalisht dhe e di se çfarë njeriu është. Këto ngacmime nuk i bënte vetëm me mua, por me të gjithë shoqet e mia që punonin në Alpo TV”, – tha ajo dhe sakaq shtoi: – “Ai është njeri shumë i keq!”.
Pavarësisht dramës personale, studentja e vitit të dytë në master nuk e ka humbur refleksin e reporteres.
Ajo e di që prova është arma më e fortë për të faktuar të vërtetën e saj.
“Personalisht disponoj të paktën pesë video me sekuenca të shkurta, por jam e gatshme të të ofroj një prej tyre. Unë nuk dua hakmarrje, por dëshiroj të shpëtoj vajza të tjera nga ky përbindësh”, – përfundoi rrëfimin ajo.
(Shënim: Iniciali S.G. është një trillim gazetaresk dhe i rastësishëm, me qëllim për të ruajtur identitetin e plotë të vajzës së lënduar, si dhe për të respektuar Kodin e Etikës së Gazetarisë)