TIRANË- Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka paditur në Gjykatën e Rrethit në Tiranë dy kryeredaktorë të një portali me akuzën për shpifje. Bëhet fjalë për Armand Shkullakun dhe Andi Bushatin.
Padia siç e shpjegon vetë Veliu, ka të bëjë me vizitën e kancelares gjermane, Angela Merkel në Tiranë. Portali në fjalë ka shkruar se gazetari Muhamed Veliu merr gjithnjë pyetje të gatshme nga zyra e shefit të qeverisë, duke iu referuar pyetjes së bërë prej tij për zonjën Merkel. Kjo gjë është cilësuar shpifje nga gazetari i Top Channel, i cili shkruan se është cenim i reputacionit personal dhe profesional, çka e ka detyruar t’i drejtohet Gjykatës.

Veliu sqaron opinionin publik se me këtë padi civile nuk synon ndonjë përfitim pasi gjithçka që do ti akordohet nga vendimi i gjykatës si dëmshpërblim në formën monetare, në rast se fiton, do ta përdorë në blerjen e literaturës dhe studimeve për shpifjen, të cilat do ti dhurohen Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Në përfundim Veliu thekson se nuk do të lejojë askënd që të cenojë punën e tij dhe vitet e investuara në këtë profesion.

DEKLARATA E PLOTË e VELIUT
Pas asaj që përjetova në Britaninë e Madhe rreth 9 vite më parë, një betejë ligjore e fituar denjësisht dhe me të drejtë në Gjykatën e Lartë Mbretërore me gazetën Bota Sot, e cila është kthyer në rast studimor në universitet e gazetarisë atje, nuk ma kish pritur kurrë mendja që do të gjendesha përsëri, përballë të njëjtës situatë. Por siç thonë dhe anglezët: “Never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë). Dhe ja ku jam sot sërish në dyert e Gjykatës së Tiranës, për të nisur një betejë sa njerëzore ashtu dhe profesionale, kundër shpifjes në gazetari. Ky është një profesion ku përpos përgatitjes, devotshmërisë dhe pasionit kërkon dhe sinqeritet përballë publikut, se në fund të fundit, kontrata ime është me ta. Për ne, në këtë profesion nuk mjafton një jetë për të përmbushur misionin unikal që ka gazetaria. Sot në Shqipëri, disa nga portalet informative, jo vetëm që kanë tejkaluar çdo skaj moral të informimit të publikut, por krejt çuditërisht janë kthyer në denigrues dhe përçmues të profesionit të gazetarit/reporterit. Andaj, me bindje e besimplotë se e drejta do të vihet në vend ashtu siç i ka hije një vendi që aspiron familjen Europiane, sot së bashku me avokaten time Arnida Çapi dorëzuam në Gjykatën e Tiranës padinë civile ndaj portalit dhe botuesve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati për artikullin shpifës ndaj meje me titull “Merkel i përgjigjet ftohtë pyetjes së parapërgatitur të TopChannel” datë 8 korrik 2015, ku shpifet se: “Muhamed Veliu merr gjithnjë pyetje të gatshme nga zyra e shefit të qeverisë. Nuk do doja kurrë të isha në një betejë ligjore përballë asnjë kolegu gazetar, por përballë cenimit te reputacionit tim profesional dhe personal, jam i detyruar ti drejtohem Gjykatës. Thonë që drejtësi është e vërteta në veprim, për punën tonë e vërteta nis që në orët e para të mëngjesit e mbyllet bashkë me ditën tonë. E nëse drejtësia jonë, drejtësia e këtij vendi, do të vendosë pikat mbi ‘i’ për këtë çështje, gjithçka që do të më akordohet nga vendimi i gjykatës, si dëmshpërblim në formën monetare, do ta përdor në blerjen e literaturës dhe studime për shpifjen, të cilat do ti dhurohen Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Në mënyrë që gazetarët e ardhshëm të këtij vendi të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë ti përdorësh fjalët për shpifje. Unë e dua këtë profesion dhe nuk do lejojë askënd që vitet e investuara në të, të cenohen, dëmtohen dhe shtrembërohen nga qëllime meskine apo goditje poshtë brezit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb