Gazetari Nuhi Bytyçi ka konfirmuar se është intervistuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale me seli në Hagë.


“Pas kërkesës zyrtare me shkrim, që më është dërguar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, kam dhënë dëshminë lidhur me veprimtarinë time si gazetar gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka njoftuar Bytyçi përmes një komunikate me shkrim.


Gjatë kohës së konfliktit të viteve 1998-’99, ai ka qenë udhëheqës i ekipit televiziv të Televizionit Shqiptar (TVSH) në zonat e luftës.


Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, kanë intervistuar, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve apo në atë të të dyshuarve, dhjetra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe së fundmi edhe kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Deri më tani, Dhomat e Specializuara nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë.