Gazetari Almer Toska gjatë debatit në “Opinion” në News24 ku ndër të tjera është diskutuar edhe dhënia e çmimit “kampion i luftës kundër korrupsionit” nga SHBA për kreun e SPAK, Altin Dumani, tha se një nga çështjet që do të tregojë nëse Prokuroria Speciale kontrollohet nga amerikanët apo nga Edi Rama, është dosja për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin.
Ky i fundit mban detyrën e zv.ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës, ndërsa gazetari Toska paralajmëroi se ai do të arrestohet.
Gazetari Toska, referuar burimeve të tij, tha se zbërthimi i celularit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku, njëherazi edhe zv.Kryeministre, ka zbuluar se si shpërndahen paratë e konçensioneve.
“Ceno Klosi, Belinda Balluku dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, do të arrestohen”, paralajmëroi Toska.
Ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi u mor në pyetje nga SPAK në 31 tetor të këtij viti. BalkanWeb mëson se Ceno Klosi po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale. Aktualisht zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Klosi po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Ceno Klosi po hetohet edhe për fshehje pasurie.
Emisioni Vetting në News24 ka denoncuar se Ceno Klosi për 13 vite punë në sektorin privat arriti të blejë vetëm një apartament 6.8 milionë lekësh, ndërsa gjatë 6 viteve në detyra shtetërore vuri një pasuri prej gati 900 mijë euro, fakte të cilat duhet të hetohen nga SPAK.
Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar edhe celularët e disa prej vartësve të tij. Në kuadër të hetimeve, celularët e sekuestruar do të ekspertohen dhe do të shihen të gjitha komunikimet, ku në fokus do të jenë të gjithë bisedat që vartësit mund të kenë zhvilluar me ish-kreun e Tatimeve, Ceno Klosi.
Po ashtu SPAK ka shkuar edhe tek Drejtoria e Përgjithshëm e Tatimeve, ku ka sekuestruar dokumente që lidhen me vendimmarrjet e Ceno Klosi gjatë ushtrimit të detyrës së kryetatimorit.
(BalkanWeb)