Të bësh një libër nuk është sot aq e vështirë, por Trëndafile Vishës i janë dashur shumë vite të vendoste të ndante me artdashësit disa nga perlat e saj. Nuk numërohen më vitet që ajo është pjesë e pandarë e “Gazeta Shqiptare” dhe i ka dhënë një pjesë të jetës së saj lajmit duke e përcjellë jo pa artin e vet të të shkruarit.

Siç rrëfen edhe vetë gazetarja, i janë dashur kohë të vendoste të përballej me publikun dhe më në fund ‘vendosi t’i bëj sfidë vetes dhe ta plas në treg, me fytyrën që ka, pa buzëkuq, rimel e botoks’.
Brenda rreshtave nuk ju premtojmë një botë me ngjyra, me optimizëm, lule e mirëqenie, por një botë ashtu siç e shohim përditë.

Një botë siç e ka parë vajza me emrin e lules më të bukur. Trëndafile Visha, për herë të parë vjen në këtë panair të librit, me dy librat e saj “I njëjti fat në 100 udhëtime” dhe “M’i kanë vjedhur sytë”. Libri i parë: “I njëjti fat në 100 udhëtime” është një ditar i autores i mbajtur ndër vite me prozë poetike, ese e thënie); libri i dytë: “M’i kanë vjedhur sytë…” poezi.

“…Lindur në kohë absurdi, në botën ku të gjallët lahen në det gënjeshtrash dhe të vdekurit mërisë rrinë zgjuar përtej. Gjuhë e ditëve të pagoja, rebeluar unit njerëzor që bëhet dhe zhbëhet mes territ dhe dritës… (SHENIM NË LIBRIN ‘I NJEJTI FAT NË 100 UDHËTIME’)
Kjo jam unë. Dhe sot e munda frikën. Atë të përballjes me ju. Se kuptova që unë jam askushi për të lëvizur botën, për të reflektuar ngjyrat e saj, për ta bërë më të paqtë dhe më të bukur. Jam askushi për t’u gjykuar nga ju, nëse jam e duhura për ta vizatuar realisht botën në tri kohët e saj, horizontalisht e vertikalisht, në të gjithë dimensionet. Dhe duke qenë e tillë, frika bëhet e pakuptimtë. Në fund të fundit askush nuk më ndalon (dhe as unë vetes) të flas me veten. Të shkruaj çdo ndjesi timen në çdo sekondë të së përditshmes dhe ta afishoj diku. Ndaj dhe vendosa t’i bëj sfidë vetes dhe ta plas në treg, me fytyrën që ka, pa buzëkuq, rimel e botoks. Ju paralajmëroj se korniza dhe e gjithë fusha brenda është e zezë. Se kjo është ngjyra që rëndom prek. Kjo është ngjyra që më trazon më shumë. Më rebelon më shumë. Më çmend më shumë. Dhe përtej të gjithave më bën të rezistoj më shumë.
Që nga sot, unë dhe tjetra ime, në pritje të përballjes me ju në stendën e shtëpisë botuese Marin Barleti, në katin e sipërm të ambienteve të panairit të librit në Pallatin Kongreseve”, shkruan autorja.

PJESË NGA KRIJIMTARIA E VISHËS
FRAGMENT NGA POEZIA ZGJIMI
Ta dini sa më keni mërzitur;
Sa dita kur ikën dielli,
Sa nata kur bie terri
Dhe gjysmëdrita shuhet pa zë,
Sa shelgjet kur thahet lumi,
Sa toka kur nuk mbin gjë!…

Ta dini sa më keni vrarë;
Me mosvëmendjen tuaj për zgjimin e ditëve
Më shumë se malli për themelet e çatinë e vjetër,
Më shumë se gruaja kur i thahet gjiri,
Më shumë se dashuria kur shuhet me prekjen,
Më shumë se vdekja kur vjen herët,
Sa shpirti i vetmuar që endet mbi hirin!…

PËRTEJ GUXIMIT
Kam frikë të zbuloj gjinjtë.
Janë kaq të bardhë –
Mjellma të virgjëra në breg të liqenit
Dhe koha
Thëllim
E uritur,
E marrë…

Kam frikë të puth.
Buzët janë aq të kuqe –
Hoje të mishta me shumë zjarr
Dhe moti idhnak,
Hakmarrës,
Shtrati i përdalë…

Kam frikë
Të prek,
Të ndiej,
Të ngjizem.
Kam frikë
Gishtërinjtë,
Penisët
Dhe farën e pistë…

Ç’PO NDODH ME MUA

Ç’po ndodh me mua kështu!?

Po shteroj si përrroi i fshatit
Mes trungjesh lisi prerë,
Shkurresh zbathur,
Gurësh dënuar të kallen e të heshtin.

Ç’po ndodh me mua kështu!?

Po shteroj si lumi i qytetit
Djegur urinës,
Mes pemësh degdisur puthjesh,
Fëmijësh e zogjsh përmallur qeshjes,
Trazuar ëndrrës dhe ikjes.
Copëzuar sa atje-këtu
S’kam asgjë për të thënë.
Shoh me sytë prej qelqi
Tek mpakem brenda trupit
Që dikur rritej,
Tek ngrij pikës së vlimit
Pa mundur të nxjerr zë…

13 GUSHT 2016
ERËRAT SËRISH DO TË FRYJNË…

Kam qenë një kafshë pune e pazakontë. E disiplinuar deri në admirim. E heshtur si një varr i thellë, mbuluar me lule po kaq të pazëshme. Një kafshë me ca tinguj të lezetshëm që në të rrallë i nxirrte në sipërfaqe. Një kafshë që hapte sytë heret në mëngjes dhe i mbyllte vonë në mbrëmje. E ditën ngarkohej me çfarë pështillej përreth. Dhe ecte me vështrimin përtej. Herë pas here hiqte nga shpina ndonjë shkarpë dhe rrekej në vrarëmendje që nuk mund të mbante aq rëndë.
Kam qenë një kafshë e bukur në pjesën e livadhit që më ra për hise. Që kullonte e tëra djersë e pastaj lahej në burimin që askush nuk e dinte. Një kafshë që nuk mblidhte asnjëherë miza nën vete. Dhe kur zukatnin vere, ikte me revan. Një kafshë që qeshej kur njerëzia qante dhe tinzash lotonte kur zërat mbyteshin brenda e jashtë saj. Dhe si e tille të gjithë e donin, përveçse ajo veten.
Dhe sërish ecte me sy të mëdhenj si bajame.
E papërsëritshme ajo kafsha e dikurshme. Mes një pazari të madh rrangullinash e të zhurmshëm, nuk ka më forcë të ecë. Ia vodhën gjithçka që pati. Gjithçka, gjithçka; kafshën e pazakontë brenda vetes. Dhe pse pa litarin pas qafe. Tani do të hungërijë e s’mundet. Tani do të këndojë këngën e ecjes dhe nuk gjen me udhën. Dhe manaferrat u dogjën. Dhe lulet. Së gjalli kënga e pakallur. E gjithë kafshët e zakonshme heshtin. Ç’mëkat i pashpallur!

Kushedi kur. Kushedi ku. Kushedi cili do gdhendë në gur kafshën e dikurshme me botën ngarkuar mbi shpinë. Kafshën e pazakontë. Dhe erërat sërish do të fryjnë në livadhin që e pati për hise…

5 SHTATOR 2016
Hajde merre vesh se çfarë njeriu jam.
Erë e butë vjeshte. Flutur e hutueme. Adoleshente e droguar. Kolonë zanore e luajtur nga dreqërit. Bisht pëllumbi në kokën e një indiani. Skelet i sapozbuluar. Epruvetë ku formësohem, shformësohem e marr trajta të ndryshme. Idhnake në të gjitha gjendjet.
Ndjej se më paskan dërrmuar. Dhe dua të fle pambarimisht. Përmendem një çast e më mbyllen sytë. Kështu orë pas ore. Urdhëroj qelizat të zgjohen, më mbyllin dyert. Sikur janë të përveçme e s’kanë lidhje me mua. Janë në një fjalë me kohën që më vjen e ndërkryer nga jashtë dritareve. Di se jam, por jo çfarë lloj njeriu. Mesiguri që qielli im është pushtuar nga alienët. Në mos qofsha e ngjizur në kohë prej tyre. Se nuk ka mundësi të jem kështu. Një ditë, vetëm një ditë pasi ika larg syrit të gjithkujt për të qenë një hop e vetme. Nuk ka mundesi të kem pirë kaq shumë. Se unë nuk di të pi. As nuk mbaj mend të më kenë dehur.
Di që jam e masakruar. Se përse. Se për çfarë. Se qysh. Se tek. Nuk di të them. Asgjë nuk di.

Ashtu jerm siç jam më përhihet një plak, të cilin shumë vite më parë e hasa rastësisht në një nga rrugët e Tiranës. Isha duke ecur me duart e kryqëzuara në gjoks, kur më thirri: Vajzë, nuk të njoh, por zgjidhi ato duar!…

5 SHTATOR 2016
Përherë kam qenë mendjemadhe në trurin tim të vogël. Fiks kështu. Jam kthjellur në çdo rast kur kam parë veten duke u tkurrur. E për çdo rast kam thënë: Je aq sa mundesh. Por jo…Njëlloj shitmendje e madhe, me trurin të vogël. Jazëk, jazëk më qoftë.
Eh ç’bëhet rreth e rrotull me të tjerë si unë…

8 SHTATOR 2016
Shqipëria është e gjitha ulërimë ujku. Ulërimë që këdo tjetër do t’a ngjethte. Por, kush jam unë, për të mos e dëgjuar?!. Kush jam unë për të mos e duartrokitur pas çdo refreni?! Kush jam unë për t’i thënë mjaft se ke ngatërruar kohë. Ke ngatërruar strofull?! Kur jam e tëra brenda strofullës. E shumta, e shumta që mundem të bëj është të hesht. Dhe të var në qafën time një medalion durimi…

Shkrimtari Sulejman Mato për Trëndafile Vishën
I hapa velat e anijes sime Krijimtarinë e Trendafile Vishës e kam ndjekur me kujdes, pasi, te poezitë e saj kam ndjere një zë të veçantë ,autentik,të plotë, me një figuracion të pasur, me nje shtrirje të gjërë me një ndjeshmëri të lartë. Tek poezia e Vishës kam vënë re staturën e një poeteshe me një dimension madhor.

Ardhja e saj në poezi është siç thotë Sadof,-,është afrimim I një “poeti të rëndësishëm, për t’u vënë në rresht të parë.”Trëndafile Visha qysh në krijimet e saj të para tregoi se ajo ecën në një rrugë të pashkelur nga poezia jonë.Poezia e saj shpërthen verigat e rimave dhe vargjeve të rregullt, duke I dhënë kështu liri dhe hapsirë menditimit poetik.

Ajo që të cudit më tepër tek kjo poezi është fakti se ajo nuk buron nga një traditë poetike e poetëve paraardhës, poezia e saj i përket një shkolle letrare të veçantë letrare. Pikëtakimet poetike, janë të lidhura, çuditërisht, me poezinë më të mirë të poetëve amerikanë të këtij shekulli. Tek poezia e Vishës shkrihen me sukses kufijtë e gjinive letrare, të poezisë dhe skicës poetike.…Vargjet e saj kanë mendim dhe figuracion modern.

Hera-herës, duket sikur ajo e trajton poezinë si prozë poetike, patetike, me një dinamizëm të brendshëm, figuracion dhe ndjeshmëria e lartë,gje që tregon se ajo e ka gjetur rrugën drejt lexuesit. Kështu jam unë, një pus i thatë ku ka frymë, duar të padukshme, që rreken të copëtojnë litarët bosh, të gjejnë burimin derdhur tjetërkund me shpresë e pritje besnike të pafund.

Pozia e Trendafile Vishës është një poezi siç do të thoshte poeti Scammell, “me një imagjinatë shpikëse” universale, pa kohë dhe pa vend. Është lloji i poezisë, një komunikim shpirtëror i tipit njeriu dhe shoqëria, njeriu dhe universi. Një poezi që nuk e kam para tek letraret e tjera që lëvrojnë poezinë shqiptare.

Visha nuk ulet mbi letër pa krijuar gjendje emocionale, pa trans. Poezia e saj, në se do të kërkojmë të gjejmë të ngjashmin e vet, në letërsinë shqipe, në mënyrën konceptuale, ka diçka Migjeniane, e në qoftë se do të kërkojmë të gjejmë të ngjashmërit e vet në letërsinë botërore, do të thoshja pa frikë se ajo ecën në rrugën e disa poetëve të njohur amerikanë …

Edhe pse ajo, mbase nuk i ka lexuar, poetët e vertetë takohen në vargje, në frymë, në origjinalitet , në figuracionin e pasur dhe tematikën e vecantë. Figuracioni i këtyre poezi është i bardhë, i brendshëm, kompleks, i thjeshtë dhe i përceptueshëm “Një burrë që i ka njohur shkretëtirat di t’i çmojë puset”, thotë poeti D.Walcott.

Këtë gjë e thotë dhe një poeteshë shqiptare me poezitë e saj. Duke lexuar poezitë e Trandafiles më lind vetvetiu mendimi që poeti lind, nuk formohet. Visha ka lindur si poete.
Pranoje se ke një lloj thirrjeje pranimi për qeniet e vogla që sillen kudo rreth teje, ngjiten dhe nuk shqiten Pranoje!

Ti e di se shtëpiza e mizave të dheut është shumë e vogël, nuk të nxë, nuk ua di gjuhën, këngën, heshtjen, as ritin e të mbledhurit bashkë mbi skeletet që gjejnë rrugës dhe sërish ankohesh Është një kënaqësi e veçantë, për ne që kemi vite që shkruajmë poezi, kur shohim të futet në radhët tona një poeteshë si Visha.

Është kënaqësi dhe për lexuesin që do të marrë në dorë këtë libër të mrekullueshëm me poezi. kur lexon poezitë e kësaj poeteshe të re, thua se gura e poezisë shqipe nuk ka shteruar, dhe nuk do të shterojë kurrë. Për ilustrim të mendimit tim do të rendisja vargje pa fund.

Tek ky libër gjithcka është në të njejtin nivel. gjithshka është në unitet mendimi, për më tepër, kemi të bëjmë me profiling poetic të një femre. e cila e sjell tematikën e vet në mënyrë krejtësisht të veçantë.

Nuk dua të zgjatem me komente, pasi e di që ju pas këtyre shënimeve entuziaste, do të bëheni kureshtar të lexoni, të gjykoni dhe të jepni mendimin tuaj. Poezia e Trandafile Vishës tashmë, siç thotë dhe vetë ajo, i ka hapur velat për lundrin. I urojmë udhë të mbarë drejt lexuesit i hapa velat e anijes time Jam për udhë të largët Një gjuhëz e hollë ajri endet në bord (atyre që thurin gardhe përbri e përmes) Dhe kushedi pse vjen e më rri afër.

I hapa velat e anijes time Jam për udhë të largët E pas bregu i vranët Sinoret e fermerëve idhnakë Qytetet me këngën në ikje të zogjve Dhe mos më pyesni pse tani natën se fryma ime nuk ndahet më dysh eE as si stinët në katër.

I hapa velat e anijes time Jam për udhë të largët… Vargu i fundit është më se i vërtetë. Poezia e Trendafile Vishës është nisë për një rrugë të largët. I urojmë suksese!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb