TIRANË

Gazetarja e Zërit të Amerikës Keida Kostreci ka folur sot për “A show” në News24 për takimin e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo me kancelaren gjermane Angela Merkel që pritet të zhvillohet nesër.

Duke komentuar samitin e Berlinit, Kostreci tha se nuk ka pasur qëndrim zyrtar nga Uashingtoni por se një nga temat e takimit të nesërm do të jetë Ballkani duke përfshirë edhe çështjen e Kosovës.

“Në të vërtetë nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar. Ekspertët kanë shprehur disa qëndrime për samitin. Ka një dakordësi që nuk iu arrit ndonjë gjë dhe nuk u pa ndonjë rezultat për vazhdueshmërinë e bisedimeve. Është mirë të presim deri nesër kur Pompeo do takohet me Merkel dhe një nga temat është dhe Ballkani.
Qëndrimi kundër taksës dhe nxitja për rihapjen e negociatave. Ky ishte një proces i drejtuar nga Merkel dhe Macron e ndoshta nga nesër mund të presim një qëndrim nga SHBA, Pompeo”, tha Kostreci.

E pyetur për një mospërputhje deklaratash nga zyrtarët amerikanë për çështjen e taksës, gazetarja e VOA-s tha se të gjithë janë shprehur kundër taksës.
“Nuk ka dalë ndonjë informacion se çfarë pritet nesër. Që ka pasur një angazhim të SHBA-ve në këto diskutime bëhet e qartë nga deklaratat e muajve të fundit. Bolton ka folur, Presidenti Trump dërgoi një letër. Ashtu si zyrtarët e lartë të SHBA kanë bërë thirrje për heqjen e taksës të njëjtën thirrje ka bërë edhe ambasadori i SHBA në Kosovë. Pra, nuk ka ndonjë mospërputhje.
Sa i përket procesit të Berlinit, është një proces europian. Kosova ka kërkuar një rol nga SHBA dhe kjo është e kuptueshme nga roli që ka luajtur SHBA.
Do ta shikoja angazhimin amerikan të nevojshëm, por do të thosha se ka gjëra të tjera që mund të ndërhyjnë në intensitetin e përpjekjeve të Uashingtonit”, tha Kosteci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb