Gazetat dhe revistat franceze vazhdojnë të marrin qindra miliona euro subvencione nga shteti çdo vit, pavarësisht se janë në pronësi të miliardierëve, shkruhet në një artikull të gazetës ‘The Local’.

Kjo ndihmë e madhe supozohet të nxisë demokracinë por kritikët argumentojnë se po krijon një media të nënshtruar.

Ka pak çështje për të cilat Fronti Kombëtar i Francës është dakord me gazetarin e majtë radikal Edwy Plenel, ish redaktor i gazetës franceze ‘Le Monde’, aktualisht pronari i Mediapart, një website investigativ, por një nga këto është çështja e sasive të mëdha të parave, nganjëherë mbi 1 miliard euro, që shteti francez ju shpërndan çdo vit gazetave dhe revistave të vendit.
Fronti Kombëtar dhe Plenel janë kundër këtyre subvencioneve dhe kanë bërë fushatë që të ndalohen.

Fronti Kombëtar e sheh median franceze kryesisht si të majtë dhe është kundër publikimeve të saj, madje edhe ekzistencës së saj. Partia e drejtuar nga Marine Le Pen i quan subvencionet vjetore një provë që media dhe qeveria janë thjesht fasada të ndryshme të së njëjtës elitë që kujdeset më tepër për veten sesa të ndihmojë njerëzit e zakonshëm.

Plenel nga ana tjetër argumenton se nëse gazetat si ‘Le Monde’ dhe ‘Le Figaro’ marrin dhjetra miliona euro çdo vit nga fondet e qeverisë, ato do jenë më pak të predispozuara të bëjnë punën e tyre për të bërë qeverinë përgjegjëse. Në përgjithësi Plenel argumenton se gazetave dhe revistave franceze ju mungon pavarësia pasi janë të lidhura me interesa të fuqishme, duke qenë se shumica e tyre janë në pronësi të personave si Serge Dassault, manjati i armëve që zotëron ‘Le Figaro’, Patrick Drahi, manjati i telekom që zotëron ‘Libération’ dhe ‘L’Express’, ose Xavier Niel, pronari i grupit të telekomit ‘Iliad’, që është bashkë-pronar i ‘Le Monde’.

Plenel me krenari thotë se website investigativ që ai drejton është prova se media e pavarur mund të mbijetojë edhe pa reklama, duke mos qenë nën kontrollin e miliarderëve të fuqishëm. Ai gjithashtu thekson faktin se çdo publikim francez përfiton nga subvencionet e qeverisë.

“Është ajo që quhet ‘klientelizëm’. Pjesa më e madhe e këtyre publikimeve që pranojnë këto subvencione janë të kompromentuara” tha Plenel në një takim me gazetarët në Paris kohët e fundit.

Sipas një raporti në 2013 të zyrës së auditimit të qeverisë franceze, shtypi i shkruar mori 5 miliard euro në subvencione nga 2009 deri në 2011.

Ndihma e shtetit për shtypin daton që nga ditët e Revolucionit Francez dhe është reformuar shumë herë gjatë viteve të fundit por qëllimi i saj ka qenë gjithmonë për të rritur demokracinë duke nxitur një skenë mediatike pluraliste që paraqet pikëpamje të ndryshme. Ndoshta kjo është një nga arsyet që në mediat franceze ka shumë pak debate nëse subvencionet janë gjë e mirë.

Sakaq redaktori i ‘Le Monde’, Jérôme Fenoglio i quan “denigrim të pastër” akuzat e Edwy Plenel se gazeta e tij dhe të tjerat që marrin subvencione nga shteti janë të kompromentuara.

“Këto subvencione u vendosën që gazetat të jenë të pavaruara për shkak të pasigurive ekonomike. Nuk ka rrezik që ne mund t’i nënshtrohemi shtetit. Kjo është e dukshme çdo ditë në artikujt që ne botojmë të cilët kritikojnë qeverinë aktuale dhe të mëparshmet” tha Fenoglio për ‘The Local’.

Sakaq shteti francez nën drejtimin e presidentit Emmanuel Macron me sa duket do vazhdojë të japë subvencione bujare për gazetat dhe revistat e vendit.

Ministria e kulturës dhe komunikimit pritet të mbajë një konferencë në muajin shkurt për të njoftuar subvencionet e dhëna në vitin 2016, gjë që mund të përmendet në një artikull ose dy, por ndodhta edhe nuk do raportohet fare.

Sipas shifrave të ministrisë, €725 milion subvencione u dhanë në vitin 2013, €613 milion në 2014, dhe rreth €600 milion në 2015.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: