TIRANE- Komisioni i Ligjeve ka nisur sot diskutimin për gazin natyror në vendin tonë. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri u shprehur se po kërkohen mundësi për hapa konkrete në shpërndarjen e gazit. Duke qenë se në vendin tonë nuk ka një treg funksional gazi, ministri Gjiknuri tha se në këtë drejtim do të japë ndihmë konkrete projekti TAP.

Ligji për këtë sektor, përfshin një paketë të re, e cila sipas ministrit Gjiknuri i jep kompetenca ERE-s.

Ministri i Energjetikës tha ndërkaq se po përgatitet një plan për heqjen e monopolit në shpërndarje.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore ku u prezantua projektligji mbi gazin natyror
Siç edhe ju e përmendët, jam këtu për të paraqitur në mënyrë të përmbledhur projektligjin “Për gazin natyror në Shqipëri”. Ky është një projektligj i ri, që ka të bëjë me implementimin e paketës së tretë të energjisë përsa i përket gazit. E dini se gazi dhe sektori i energjisë elektrike në Bashkimin Europian janë sektorë të rregulluar. Lindi nevoja për një ligj të ri pasi ligji që ne kemi në fuqi është një ligj që i ka tejkaluar zhvillimet e kohës. Vërtet Shqipëria nuk ka një treg gazi, pra praktikisht ky ligj në pjesën më të madhe të tij flet për një treg të mundshëm në të ardhmen, kur të kompletohet projekti TAP. Ky ligj është i rëndësishëm edhe për vet projektin TAP, sepse garantohen disa nga elementët që janë në marrëveshje me koncesionarin TAP. Por, mbi të gjitha krijojmë premisat e nevojshme për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.

Në themel, ligji ka implementimin e paketës së tretë. Cilët janë disa elementë kryesorë? I jepet një rol i caktuar Entit Rregullator të Energjisë, si enti që do të jetë ai mbikëqyrësi i rregullave të tregut. Do të thotë që nesër, çdo zhvillim ndërmjet operatorëve privatë të tregut të gazit apo të ndërtimit të infrastrukturës së gazit do të mbikëqyret nga një ent i pavarur.

Përcaktohet qartë roli i qeverisë dhe i institucioneve përgjegjëse, në këtë rast i Ministrisë së Energjisë që është përgjegjëse për politikat, promovimin, aspektet që kanë të bëjmë me organizimin aq sa më mund të lejohet, jo në fakt të tregut, por rregullave që kanë të bëjnë në fakt me tregun dhe elementë të tjerë infrastrukturorë. Këshilli Ministrave do të mbajë autoritetin përgjegjës për dhënien e lejeve të caktuara të zhvillimeve infrastrukturore në fushën e gazit. Ligji është edhe shumë teknik dhe unë nuk do ti hyjë në detaje, por parashikohet roli që do të kenë autoritetet mbikëqyrëse, inspektoratet përkatëse, siç është Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial, i cili do të ketë rolin për aspektet e sigurisë teknike, fizike, dhe që ka të bëjë me rrjetet.

Përcaktohet qartë se nuk do të ketë një operator monopol as përsa i përket transmetimit, as përsa i përket shpërndarjes së gazit. Ndërkaq, masterplani i gazit është një proces që po zhvillohet paralel me këtë projektligj. Kemi marrë një mbështetje nga Bashkimi Europian për të zhvilluar masterplanin e gazit, që është në funksion të zhvillimit të tregut të gazit, në kohën kur gazi do të jetë i vlefshëm në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj, do të përcaktohet pak a shumë edhe mundësia e shtrirjes së rrjeteve në zona të caktuara, qoftë për konsumatorët familjarë, qoftë për konsumatorët industrialë. Këto studime do të përcaktojnë qartë nevojën sesa do të jetë konsumi që do të ketë Shqipëria dhe sesi mund të shtrihet rrjeti, deri në ç’kufi dhe për cilët konsumatorë, përfshirë edhe studimet e fizibilitetit. Kemi marrë angazhimin e Azerbajxhanit për ndihmë financiare për kompletimin e studimeve të fizibilitetit për shpërndarjen e gazit. Ndërkaq, nga qeveria zvicerane kemi marrë mbi 6 milion franga për ngritjen e infrastrukturës së lartë të gazit.

Pra, me pak fjalë ky ligj i krijon këto mundësi të cilat do të jenë hapa konkrete në terren. Përtej kuadrit rregullator, ky do të krijojë edhe mundësinë e zhvillimit të operatorëve në terren të shpërndarjes së gazit natyror, qoftë për konsumatorin industrial, qoftë edhe për konsumatorë familjarë. Në themel ky është projektligji, është jë ligj që përshtatet me direktivën, është një transpozim i direktivës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb