Pas rrjedhjes së gazit të lëngshëm nga cisternat e një fabrike të përpunimit të tij në zonën e Porto Romano në Durrës për mikrofonin e News24 kanë folur disa nga banorët e zonës së kontaminuar.

Një prej banorëve ka deklaruar se rrjedhja e gazit nga cisterna duket me sy të lirë, ndërsa e ka krahasuar atë me në shatërvan uji. Ai shtoi se fëmijët që ndodheshin në shkollën 9-vjeçare ‘Met Hasa’ ishin vetëm 30 metra larg nga cisterna dhe sipas tij ka qenë fati ai që ka shpëtuar banorët e zonës pasi nuk ka pasur një shkëndijë që mund të provokonte një zjarr masiv.

“Me sy të lirë shihet si rrjedh gazi, si shatërvan. Është 300 metra larg nga banesa ime, aty ku është rrjedhja është shumë afër shkollës 9-vjeçare, as 30 metra nga atje. Mori në telefon mësuesja dhe na tha të marrim fëmijët sa më shpejt nga rrjedhja e gazit.

Imagjinoni të kesh fëmijën pranë një rrjedhje gazi të tillë, si një bombë atmike, kjo është hera e tretë apo e katërt që ka shpërthime të mëdha të gazit, ka të paktën 3 muaj që ndodh kjo situatë.

Kemi protestuar por puna ka vijuar rregullisht, ka qenë fati ynë që nuk ka pasur një shkëndijë flake se mund të kishim një katastrofë të madhe ditën e sotme”, u shpreh një nga banorët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb