Kompania shtetërore energjetike e Malajzisë është duke negociuar me kompaninë norvegjeze Statoil për blerjen e aksioneve, që kjo e fundit ka në gazsjellësin TAP, i cili do të sjellë gaz nga pellgu i Kaspikut në Evropë.

Petronas e Malajzisë, mund të blejë 20 për qind të aksioneve që kompania më e madhe norvegjeze e energjisë (Statoil) kishte në këtë projekt. Sipas agjencisë ekonomike të lajmeve “Bloomberg” nuk ka ende asnjë vendim përfundimtar pasi blerja e aksioneve është në fazën e negocimit.

Burimet e agjencisë thonë se, Statoil mund të shesë më shumë se 15.5 për qind të aksioneve në fushën e gazit Shah Deniz në Azerbajxhan për Petronas në rreth 2.25 miliardë dollarë gjatë muajit tetor. Nga ana e saj, Statoil, e cila ka braktisur objektivat e rritjes nëpërmjet planeve të investimit që nga viti 2010 ka shitur pasuritë për më shumë se, 22 miliardë dollarë.

Nga viti 2018 pritet që 870 kilometra të gazsjellësit TAP të sjellin fillimisht 10 miliardë metra kub gaz në vit, nga fusha Shah Deniz përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali. TAP do të lidhet me TANAP, një tubacion që do të shtrihet 1,841 kilometra në Turqi.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: