Partizani luan nesër sfidën e tij për javën e 22-të dhe mund të përfitojë edhe më shumë nga humbja e radhës e Kukësit. Në rast suksesi, të kuqtë do të ngjiten në +10 pikë nga ndjekësja më e afërt, që tanimë është Teuta. Për trajnerin e Partizanit, sfida ndaj Laçit është vërtet delikate, ndonëse të kuqtë shkojnë në Kurbin për të siguruar fitoren e radhës.

Është momenti të “vrisni” kampionatin, duke parë dhe ecurinë e të tjerëve?

“Do shikojmë ecurinë. Ndeshja me Laçin është e rëndësishme për ne për vetë faktin se është ekip i mirë në fushën e saj. Favoritët, kryesoret, që kanë qenë prapa nesh, janë shkëputur me këtë humbje, por kjo s’do të thotë asgjë. Është e rëndësishme Laçi”

Mund të kënaqeni me 1 pikë në Laç?

“Maksimumi është fitorja dhe për atë do të mundohemi. Kemi marrë masat të eleminojmë çdo firo. Të jemi 100%”

Keni ndonjë prurje nga infermieria?

“Hila nuk do të jetë. S’ka filluar ende stërvitjen. Nuk do të jetë as Rexhepi sepse ka ngacmim muskulor, sepse kemi edhe ndeshje të tjera shumë shpejt. Pjesa tjetër është e gatshme”

Laçi vjen nga 1 moment jo i mirë…

“Siç e pamë edhe Teuta erdhi pas 3 javëve jo të mira, por tregoi se gjërat ndryshojnë shpejt. Me një përgjegjshmëri të madhe gjërat ndryshojnë. Laçi është ekip shtëpie, janë djem me ego, mbrohet mirë. Shkojmë optimist”.

Ju tremb euforia?

“Për fat të mirë, ajo pjesë e re në moshë, ka treguar që e ka mbajtur presionin. Jemi këtu ku jemi sot. Kjo tregon se ata dinë t’i vlerësojmë situatat. Si trajner mundohem që të jenë me këmbë në tokë. Jemi kaq kohë në vendin e parë, jemi të kënaqur. Mendoj se ka ardh nga puna e përbashkët nga të vjetërit dhe të rinjtë. Është balancë e mirë që na bën të jemi të qetë.”

Ish-trajnerët kanë thënë se këtë titull mund ta humbas vetëm Partizani…

“Të gjithë japin opinionet e tyre. I kam lexuar, është vlerësim, por në të njëjtën kohë na shton përgjegjësinë. Parashikimet janë perceptime individuale. Nuk vuloset asgjë nesër. Do t’ia lemë kohës, aq më tepër që janë 15 javë”

Rivali ka pasur sfida të vështirë, ju ende?

“Është e vërtetë, ne mundohemi të bëjmë punën tonë. Kemi luajtur me Korçën, fituam me lojë bindëse. Do të mundohemi t’i shikojmë gjërat siç janë. Jemi bazuar te puna dhe harmonisë që ne kemi. Qoftë me Tiranën apo çdo rival duhet vlerësuar. Tani nuk flas dot”

Vazhdimësia juaj si trajner…

“Mundohem çdo javë. Pikët janë aty. Për fat të mirë nuk kemi pasur dëmtime, përveç Rexhepit. Nuk kam pse të druhem.”

Gjëndja fizike e skuadrës…

“Kur kemi bërë përzgjedhjet në janar, pjesa më e madhe ka qenë pa ekip. Fizik nuk janë aty ku mund të na ndihmojnë sot për sot. Megjithatë grupi ka qenë, ose është. Do të adaptohen, do të shkrihet me grupin. “

Alesio Hyseni mund të kontribuojë?

“Është konkurencë, unë s’e kam siklet, sepse më bën komod. Alesio është djalë i ri, te ai pozicon ka konkurencë. Ka pasur një problem në tendinë. Shpresoj të shërohet dhe t’i futet punës. Është ende i ri, 20 vjeç”

Si do të vendoset skuadra?

“Do të vendosim nesër se kush do të jetë në lojë. Nuk do të bëjmë ndryshime të mëdha. Do të mundohemi të mbajmë linjën. Nuk mund të ndryshojmë çdo javë. Uroj që të gjithë të jenë në fokus. Do të dali grupi më i mirë. Çdo ndeshje ka specifikat e veta. Do të mundohemi të përshtatemi. Është e rëndësishme mos të devijojmë nga rruga sepse na ka shkuar mirë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: