Partizani mbyll turin e forcës në fazën e tretë të Superligës me atë që mund të jetë ndeshja e titullit. Të kuqtë përballen në transfertë kundër rivalëve direktë të Kukësit dhe një fitore e tyre do të “vriste” përfundimisht kampionatin. Por si gjithmonë, Skënder Gega nuk shkon larg dhe mendon vetëm për një sfidë të radhës në kampionat që duhet fituar.
“Kemi ardhur pas një periudhe pushimi, kemi pasur probleme, siç është dëmtimi i Telushit, që është një nga pikat më të forta tona. Edhe Idrizaj gjithashtu pak më parë. Javën që kaloi patëm 2 mungesa të tjera, Hebaj dhe Bardhi. Bardhi po rikuperohet, të shikojmë nëse do të jetë gati deri nesër. Jemi gati me gjithë mungesat që kemi. Do të shkojmë në Shkodër për më të mirën, jemi në vend të parë, 9 pikë larg”, ka thënë Gega.
Ndryshe nga Partizani që problem ka vetëm mungesat, Kukësi vjen në përballjen direkte të së premtes në “Loro Boriçi” me një trajner të ri. Por ky detaj nuk i jep asnjë ndjesi, Gegës. “Nuk është problemi im, nuk futem për t’i prishur planet e tyre. Do të mundohem të marrë më të mirën në fushë. Zgjedhjet e klubeve të tjera, janë planet e tyre. E rëndësishme për mua është të marrim maksimumin”, ka vijuar më tej tekniku i Partizanit në konferencën për mediat. Skënder Gega ka prekur edhe temën e biletave, çmimet e të cilave të vendosura nga Kukësi kanë ndezur përpara kohe sfidën. Trajneri nuk përfshihet në polemika, por “thumbat” nuk mungojnë.
“Edhe në Bangladesh të na çojnë Partizani do të ketë tifoza. Edhe jashtë shtetit klubi na ka mbështetur. Nuk ka shans që asnjë ekip të ketë më shumë tifoza se ne. Loro Boriçi të jep adrenalinë për të luajtur. Ne do të jemi si në shtëpi. Do të doja që të vijnë falas, pa biletë. Nuk kam të drejtë të ndërhyj. Dua të mbushen stadiumet, edhe tonët edhe të kundërshtarëve”, ka thënë Gega, që në fund i është përgjigjur edhe zërave se mes trajnerëve shqiptarë, ai mund të jetë një kandidat për pankinën e kombëtares. “Kam qenë trajner i kombëtares. Tani jam i Partizanit. Është po aq i madh dhe jam fokusuar këtu. Dëshirat dhe opinionet janë të ndryshme. Do të jem këtu 100% sa të mbaroj”, ka përfunduar trajneri i Partizanit.
(balkanweb)