Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, beson se skuadra e tij mund t’ia dalë sonte të marrë kualifikimin në “Europa League” kundër Mariborit. Në ndeshjen e parë të luajtur në Tiranë sllovenët morën një fitore minimale 0-1, por sipas Gegës ‘demat’ i kanë mundësitë të përmbysin gjithçka.

Sa shanse keni pas ndeshjes së parë në Tiranë, që e humbët 1-0?

Është një ndeshje e rëndësishme për ne, kjo e kthimit. Për mua, në Tiranë kemi luajtur një ndeshje pozitive, kemi patur shanset tona. E theksoj se jemi përgatitur për të bërë më të mirën këtu në Slloveni. Të jem i sinqertë, presioni është mbi Mariborin dhe jo mbi ne, por ky është futboll dhe çdo gjë mund të ndodhë. Do të isha i kënaqur nëse djemtë do të luajnë siç interpretuan pjesën e parë në Tiranë dhe do të luftojnë deri në fund. Pastaj, të pranojmë verdiktin e fushës në vërshëllimën e fundit.

Keni pohuar se nuk do të ndryshoni shumë në formacion?

Besoj se tashmë Maribor e ka një ide sesi luan Partizani, por gjithsesi çdo ekip ka rezervat e veta. Ne jemi përgatitur, e dimë që do të jemi nën presion, pasi Maribor luan në shtëpi dhe ka mbështetjen e tifozërisë, e cila do të jetë ndihmë e madhe për ta. Por ne jemi përgatitur për të dyja fushat, ndaj do të jetë një ndeshje e mire. Siç e theksova më lart, do të përpiqemi deri në fund për të marrë rezultat pozitiv.

Si mund t’i shënoni Mariborit?

Ashtu si Maribor na shënoi në Tiranë. Ne kishim shanset tona në takimin e parë, ju e patë ndeshjen. S’mund të gjykoj njeri, por për mua episodi i Asanit ishte një gabim i arbitrit, pasi e pashë ndeshjen me qetësi më pas. Ishte një 11-metërsh i pastër, i cili ishte një mundësi shumë e mirë për ne për të shënuar. Shpresoj të kemi të njëjtin shans, por jo të njëjtin gabim nga arbitri.

A do të mbështeteni nga shumë tifozë në stadiumin e Maribor?

Mbase nuk është momenti i duhur për të luajtur ndeshjet e Europës, sepse sapo ka mbaruar kampionati botëror, por ne kemi shumë mbështetës, të cilët e dashurojnë bluzën e këtij klubi. Kemi tifozë të mrekullueshëm, ata kanë një dashuri të jashtëzakonshme për klubin dhe skuadrën dhe shpresoj që kësaj here t’i bëjmë të lumtur dhe krenarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb