Skënder Gega shijon suksesin e produktit të tij. Ky Partizan fluturon dhe trajneri u ka injektuar lojtarëve atë ADN që ka pasur ai vetë tek Partizani i madh i viteve 80. Ndaj ka arsye të jetë i lumtur, ndonëse si gjithmonë, kërkon të shfaqet diplomat. Nesër luajnë Tirana dhe Kukësi, dhe i ngacmuar nga gazetarët se me cilën skuadër është tifoz në këtë 90 minutësh, Gega përgjigjet se preferon që të humbasin të dyja.

Pjesë e parë ku kundërshtari ishte agresiv, por në të dytën dolën cilësitë tuaja…

Loja është 90 minuta, në të parën ata treguan se ishin vendosur mirë. Patën agresivitet, erdhën këtu me synime, pas 2 ndeshjesh të mira. 90 minuta janë shumë, rëndësi ka që nuk u dëmtuam në të parën. Në të dytën, gjithçka foli për ne, edhe pse bëmë gabime.

Keni alternativa. Debutimi i Dukës?

Më vjen keq që u dëmtua Rexhepi, do na ndihmojë shumë. Këto janë plagët e ardhjeve të janarit. Janë deficit në përgatitjen fizike, por për fat të mirë kemi alternativa. Atanda është një lojtar që i bën dy pjesët, edhe stoli është plot. Uroj që kujt t’i jepet mundësia, ta kuptojë e ta shfrytëzojë. Dukën e njoh personalisht. Thuhet se është prurja ime, por e di sa profesionist është. Ai ka nevojë të rritet fizikisht. Do ingranohet shpejt, por është vetëm fillimi. Shpresoj t’i shërbejë grupit.

Skuadra është automatizuar. Ke 3 lojtarë, Mensah, Hebaj dhe Kardozo. 1 do luajë, 2 të tjerët mund të të sjellin probleme?

Asnjë nuk më sjell probleme. Nëse dikush e kupton që është profesionist, e di mirë. Partizani ka rregulla, edhe unë kam rregullat e mia. I trajtoj të gjithë njëlloj. Në bazë të kontributit, do luajnë. Është luks të kesh 3 lojtar, por të gjithë duhet ta kuptojnë që 11 luajnë. Pjesa tjetër, për aq minuta sa të jepen, duhet të japësh maksimumin. Kryesor është ekipi, jo vetja.

Ibrahimi kishte më shumë detyra mbrojtëse. Po Idrizaj, a mund të përdoret më shumë?

Idrizaj ka bërë 2 ndeshje, është zgjedhje e jona. E kemi mikpritur në ekip, por sot nuk e aktivizuam. Jam i kënaqur për atë që Labi dha në fushë. Të gjithë kanë preferencat e veta, por në fund unë vendos. Idrizaj dhe Ibrahimi janë pjesë e fortë e ekipit, po ashtu edhe në krahët tjera. Kemi dhe 15 ndeshje. Do na duhen të gjithë.

Nesër Kukësi-Tirana, a jeni tifoz bardheblu për një ditë?

Unë jam tifoz i Partizanit. Nuk e kemi në dorë ecurinë e skuadrave të tjera. Edhe ne kemi ngecur. Nuk e di sa janë gëzuar kundërshtarët. Nëse Kukësi e meriton mund të fitojë. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Janë ekipe që duhet të japin maksimumin në çdo ndeshje.  Tirana ka treguar futboll, por nëse do e kisha në dorë unë, do kërkoja humbjen e të dyjave (qesh). Por ne do të shikojmë ecurinë tonë dhe të fokusohemi te ekipi ynë. Të jem i sinqertë, edhe ne kemi ngecur në disa ndeshje dhe nuk e di nëse janë kënaqur rivalit. Kampionati është i gjatë dhe asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Diferencat mes skuadrave nuk janë të mëdha dhe çdo gjë mund të ndodhë. Presioni te ne është të ruajmë këtë ritëm dhe të mos bëjmë hapa falsU bë kaq kohë që punojmë bashkë, lojtarët i dinë me sy mbyllur detyrat. Gjatë lojës ka gabime. Edhe kur bëjmë ndërrime nuk ndryshojmë mënyrën e lojës. Një dëmtim i vogël mund të na i ndryshojë gjërat, por ia lemë kohës. Do mundohemi të bëhemi gatshëm për ndeshjen ndaj Laçit.

Incidenti në Fushë-Krujë, a ishin tifozë të Partizanit ata që sulmuan Skënderbeun?

Unë isha një fushën e futbollit.  Me gjithë respektin që kam, duhet të pyesni policinë e shtetit jo trajnerin.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb