TIRANE-Në përfundim të aventurës së tij të Tiranë si një nga trajnerët e spektaklit “The Voice of Albania”, Genc Salihu rrëfen një përvojë që e ka shijuar nga fillimi deri në fund. Por tani që finalja është në prag, është tamam çasti për të bërë një analizë të gjithë asaj që ka ndodhur. Dhe ja ku Genci na ka bërë një radiografi të qartë të talentshowt, brezit të ri të këngëtarëve dhe konkurrentëve të tij në veçanti.
“The Voice of Albania” po e mbaron rrugëtimin e tij. Këtë të premte është gjysmëfinalja, e më 2 janar finalja që do të shpallë dhe fituesin. Si po shkohet drejt këtyre dy netëve vendimtare për konkurrentët?
Sivjet në “The Voice” kanë vërshuar zëra të mirë dhe është evidente se sido që të shkojë gjysmëfinalja, do ta kemi një finale epike për t’u mbajtur në mend. Secili nga trajnerët e ka të paktën nga një “as” të vërtetë, dhe për publikun kjo do të jetë fantastike.
Është thënë se kjo gjysmëfinale sjell një risi të madhe që ndodh për herë të parë, garën jashtë skuadrave. Për ty, a do ishte më mirë të vazhdonit me formulën e vjetër? Ia vlen kjo aventurë, e cila në finale mund të të çojë edhe pa asnjë konkurrent?
Është çështje këndvështrimi. Nga njëra anë, trajneri ka dëshirë të natyrshme që ta drejtojë vetë kursin e skuadrës së vet drejt finales, sepse ai i njeh më së miri këngëtarët që ka dhe rrjedhimisht ka gjykim më të mirë profesional. Në anën tjetër, ndërthurja e publikut është ajo që e bën show-un të ketë kuptim, të ketë një lidhje organike me komunitetin. Por ballafaqimin e drejtpërdrejtë me gjykimin e publikut e shoh si një shans të rrallë për të mësuar shumë mbi vetë natyrën e publikut. Si artist, njeriu e sheh publikun si diçka abstrakte dhe të frikshme, me një sjellje të paparashikueshme dhe gjykim arbitrar që është vështirë ta përcjellësh. Intuita për preferencat e publikut, për shembull, është dhunti e rrallë dhe e çmuar. Prandaj mundësia që ta kesh publikun aty të votojë direkt mbi një gjë që ti sjell në skenë është, në këtë aspekt, e pazëvendësueshme, sepse hedh dritë mbi këtë re të dendur dhe misterioze të quajtur publik, duke ta dhënë rastin të shohësh reagime konkrete mbi gjëra konkrete të momentit.
Meqë tanimë roli juaj nuk është më vendimtar, sepse do jetë publiku përmes votave që do marrë vendimet, mendon se konkurrentët janë në duar të sigurta? A ka gjasa të fitojë vërtet më i miri apo do ishte më mirë që edhe fituesin ta përcaktonin profesionistët?
– E vërteta është se me tërë këtë kualitet vokal që lufton në gjysmëfinale, finalistët do të jenë shumë të fortë dhe nuk do të ishte gabim të fitonte cilido prej tyre. Kështu që, në nivel profesional, vërtet do të jetë e lehtë të pranohet cilido verdikt nga publiku. Por, sidoqoftë, është e udhës të sqarohet se publiku gjykimin e bazon edhe në elemente krejt jashtëmuzikore, jashëartistike. Këta mund të jenë faktorë si pamja, trendet në mediat sociale, paragjykime të llojeve të ndryshme etj. Prandaj është e vështirë të parashikohet. Për fat, të gjithë janë vërtet të mirë dhe le të fitojë… cilido, ta them të drejtën, sepse, fundja, paraqitja në finale me tri këngë është fitore më vete.
Pas një jave Shqipëria do ketë zërin më të mirë të vitit. Dëshira për të fituar ju përfshin edhe ju trajnerëve? Jeni realisht në një garë të ethshme mes njëri-tjetrit apo misioni ngelet deri tek qëllimi për të evidentuar zërat e bukur?
Është e vërtetë se sa më shumë që afron fundi, atmosfera garuese shtohet dhe kjo e bën rrugëtimin edhe më të bukur dhe lozonjar. Por përqendrimi im – dhe kam bindjen se flas edhe për tre të tjerët – që nga fillimi ka qenë shpalosja e një programi kualitativ muzikor; e kam parë Voice-in pikë së pari si mundësi për t’i ofruar publikut shqiptar këngë të mira me interpretime të veçanta, të menduara mirë. Kam bindjen se kjo qasje i ka ndihmuar shumë konkurrentët që të relaksohen dhe të japin më të mirën nga vetja artistikisht. Fitorja do të ishte kënaqësi e veçantë për secilin prej nesh, natyrisht. Por mbarëvajtja e procesit si i tillë, mirëmbajtja e kualitetit artistik gjatë gjithë sezonit – kjo është sfida e vërtetë e trajnerëve në “The Voice”. Dhe një qasje e tillë gjithmonë i nxjerr konkurrentët më të mirë në pah.
Tek të 15 konkurrentët më të cilët punove, por edhe të tjerët që ishin pjesë e këtij formati, a ka gjurmë artistësh të vërtetë, a mund të shpresojmë se brezi më i ri do dijë të ruajë fort kornizat e muzikës cilësore?
Kam bindjen se, më shumë se sa ‘të ruhet’ muzika cilësore, është e domosdoshme që të rithemelohet ajo, sepse dekada e fundit ka qenë mjaft e vrazhdë në domenin komercial, dhe kualiteti i përgjithshëm i muzikës së popullarizuar ka rënë ndjeshëm, duke krijuar shprehi të këqija të konsumit tek publiku. Unë, për fat, shoh shumë potencial të gjeneratat e reja. Në Kosovë, për shembull, kemi një lulëzim të muzikantëve dhe kantautorëve të rinj këto dy vitet e fundit. Në Shqipëri, në anën tjetër, kam parë një mobilizim të publikut që kërkon të ngrihet niveli i skenës në përgjithësi. Shqipëria po ecën përpara dhe nuk do të tolerojë muzikë të keqe edhe shumë gjatë. Më gëzon se ka një përgjigje pozitive nga mediat, të cilat kanë filluar të tregohen të gatshme t’i kthehen një roli më edukativ që përqendrohet në cilësi. Dhe përgjigjja është PO, ka në “The Voice” këtë vit konkurrentë që mund të jenë artistë të rëndësishëm të skenës. Absolutisht!
Tani që spektakli po vjen drejt fundit, kur ethet e para kanë kaluar e kur dyshimet e fillimit mund të kenë marrë përgjigje, çfarë ndjesish të krijohen? Ishte bukur të ishe pjesë e “The Voice” apo ka vend për pendesë?
Ka qenë një përvojë e pakrahasueshme. Me të vërtetë i kam kaluar disa muaj shumë magjikë. Do të më mungojë jeta në Tiranë, me të cilën jam dashuruar. “The Voice” doli të jetë një platformë që ofron hapësirë të mirë për eksplorim artistik dhe për këtë dua t’u falënderohem publikisht të gjithëve që e bëjnë të mundshëm këtë show. Jam shumë i gëzuar.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: