TIRANE – Një foto e re e Genta Ismajlit ka trazuar jo pak opinionin publik. Këngëtarja pozon në versionin femër të James Bond, ndërsa në duar mban dy pistoleta. Fotoja në fjalë ka ngjallur jo vetëm dyshimet, por edhe aludimet se këngëtarja e njohur mund të futet në telashe me policinë, madje të rrezikojë edhe një akuzë konkrete për përdorim dhe armëmbajtje pa leje. Të paktën kështu është supozuar në rrjetet sociale, megjithatë Genta tregon se asgjë nga këto nuk është e vërtetë.

E kontaktuar nga “Bluetooth”, këngëtarja është shprehur se bëhet fjalë për një foto dhe se nuk ka asnjë rrezik që të ketë akuza konkrete kundër saj. “Është vetëm një foto dhe armët nuk janë reale”, tregon këngëtarja, e cila në vazhdim ka theksuar se, këto foto janë realizuar në shërbim të një projekti që do të publikohet së shpejti. E pyetur nëse policia ka kontaktuar me këngëtaren, Genta Ismajli është shprehur, “Nuk ka pse të më kontaktojnë. Armët përdoren në filma, në klipe, kudo. Nuk janë personale, por thjesht foto artistike”.

Megjithatë, në Kosovë, postimi i fotografive me armë në rrjetet sociale përbën shkelje ligjore, madje vetëm gjatë javës së shkuar Policia e Kosovës ka bastisur shtëpitë e tre të dyshuarve, të cilët kishin publikuar armët e tyre. Ndoshta rrezikon edhe Genta, megjithëse deri tani nuk ka të dhëna për veprimet e policisë. Ndërkohë Genta së fundi po komentohet edhe për një romancë të re.

Këngëtarja, e cila prej vitesh tashmë deklarohet single është fotografuar së fundi përkrah një mashkulli misterioz. Edhe pse këngëtarja nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për raportin që ka me të, fansat kanë aluduar se bëhet fjalë për të dashurin e saj të ri. Por deri tani, asgjë nga jeta sentimentale e këngëtares nuk është konfirmuar.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: