PRISHTINE – Në fundjava, zakonisht këngëtarët udhëtojnë jashtë vendit në diasporë për koncerte. Një axhendë të tillë ka vazhdimisht edhe Genta Ismajli, e cila ka pasur koncert në Zvicër në javën e parë të dhjetorit. Por në kthim nga Zvicra në Kosovë, aeroplani i Gentës, për shkak të motit të keq, nuk ka mundur të ndalojë në Prishtinë duke rrezikuar jetën e pasagjerëve, të cilët janë tmerruar deri në momentin që kanë prekur tokën, transmeton “Telegrafi”.
Ja si e rrëfen këtë moment pasagjeri dhe njëkohësisht gazetari i njohur kosovar, Milaim Zeka, i cili ndodhej në të njëjtin avion me Gentën.

“Rallë jam frikësuar sikur sot. Pas një vikendi pune në Zvicër, me ftesë të Fondacionit nga Kosova Lindore (Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc), pas pritjes e mbrëmjes së paharruar nga Rinora 4, pas takimeve me miq të mi nga Zvicra, Gjermania e Sllovenia, së bashku me Emën, ora 5 e 30 e mëngjesit, u nisëm për në aeroportin e Zurichu-t. Aty takova shumë bashkatdhetarë. Pime kafe me Hajrushin e Shkurte Fejzën. Pak më tutje u përqafuam me Genta Ismajlin. Kur hopa, ia mbërriti Hashim Thaçi me Petrit Selimin. Nuk u përshëndetëm, thjesht mos me e prishë ritmin e mëngjesit. Kur u ngjitëm në ajër, po i thosha gocës që fluturimi do shkojë për mrekulli. E para se në avion ishin nja 20 vjehrra, ku nuset ishin lutur që të mos zbrisnin shëndoshë. E dyta, populli shqiptar nuk ka bërë aq gjynahe që me humb liderin e vet, Hashim Thaçin, e sidomos të madhin Petrit Selimin. Dhe e treta, e dija që nuk jam njeri me kaq fat për me vdek afër Genta Ismajlit. Pas një rruge tepër të mundimshme, pas shumë tentimesh për zbritje në Prishtinë, u lëshuam në Shkup. Hasha me Petritin dolën, ndërsa neve na mbajtën edhe nja një orë brenda në avion. Po më në fund, shyqyr që nuk vdiqën vjehrrat. Shyqyr që na shpëtuan liderët e kombit, edhe shyqyr që unë edhe Genta bashkë me Emën, erdhëm në Prishtinë’’, me anë të këtij rrëfimi Milaim Zeka ka treguar përjetimin që ka pasur në rrugën ajrore nga Zyrihu deri në Prishtinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: