TIRANË

Prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, i janë drejtuar sot me një kërkesë Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, duke i kërkuar të pranojë kërkesën e SPAK për të rihapur hetimin për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

GJKKO do të vendosë sot për kërkesën e SPAK, teksa kjo e fundit e ka cilësuar Mediun si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, në pranverën e 2008-ës.

Disa nga pikat në letrën e familjes Durdaj, drejtuar GJKKO:

-ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete


– dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale

– gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.

– nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr pengesat antikushtetuese.

– Në fund të fundit, një shtet i së drejtës është ai që nuk pengon gjykimin e çdo zyrtari, dhe ky është funksioni kryesor pse u bë reforma në drejtësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb